Kërkesa për ‘dexamethasone’ arrin majat
Kërkesa botërore për steroidin me emrin dexamethasone është rritur që prej se një studim i realizuar në Britaninë e Madhe zbuloi se mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të vdekjes mes pacientëve me korona.
“Kërkesa ka nisur që të rritet pas studimit që tregoi benefitet e dexamethasone,” u shpreh drejtuesi i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus nga Gjeneva ditën e sotme.
Kur rezultatet e studimit paraprak u njoftuan javën e kaluar, OBSH deklaroi që i mirëpresin rezultatet e testeve klinike. Zbulimet në fjalë janë ende duke u përpiluar dhe ende nuk janë botuar.
“Megjithëse të dhënat janë ende paraprake, konstatimi i fundit se steroidi deksametazon ofron mundësi të shpëtimit të jetës për pacientët me sëmundje të rëndë Covid-19 na dha një arsye shumë të nevojshme për të festuar,” tha Tedros.
“Sfida e radhës është që të rrisim prodhimin që të mund ta shpërndajmë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të barabartë, duke u fokusuar aty ku nevojitet më shumë,” shtoi kreu i OBSH.
“Për fat të mirë ky është një medikament jo i shtrenjtë dhe gjenden shumë prodhues të tij në të gjithë botën, për të cilët ne kemi besim se mund ta përshpejtojnë prodhimin.”
Tedros u shpreh se ndërsa medikamenti tregon benefite tek të sëmurit rëndë me Covid-19, te ata me simptoma të lehta nuk është parë asnjë ndikim.