Kërkesa për zgjedhje të reja, analistët: Opozita po synon rritjen e elektoratit

17 shtator 2023 | 12:24

Thirrjet e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, njohësit e çështjeve politike janë duke i vlerësuar si thirrje për rritjen e elektoratit të tyre. Sipas tyre, opozita e di mirë që nuk mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje pasi nuk i kanë votat e mjaftueshme.

Ata kanë thënë që vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse qeveria  Kurti jep dorëheqje, por sipas tyre për këtë gjasat janë shumë të vogla që të ndodhin.

Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë “Ekonomia Online”, se kërkesat e opozitës për zgjedhje janë normale, pasi sipas tij sa më shumë që zgjatë qeveria e tanishme aq më lehtë do të jetë për opozitën sepse do të ketë argument më shumë për të bindur qytetarët kundër saj.

“Kërkesa nga opozita për të shkuar më zgjedhje  për shkarkim të qeverisë në demokraci janë minimale. Secila opozitë normalisht do të duhej të kërkonte shkarkimin e një qeverie që është në pozitë për të organizuar zgjedhje me shpresën që ata do të fitojnë dhe të vijnë në qeverisje. Sa më shumë që të zgjatë kjo qeveri aq më lehtë do të jetë për opozitën sepse do të ketë argument më shumë për të bindur qytetarin se kjo qeverisje nuk është e mirë. Skandalet e një pas njëshme që është duke i prodhuar ka bërë që opozitës t’i jep kuroja që të del nga ai pozicion inferior që ka ekzistuar tek opozita komplet në dy vitet e para të qeverisjes dhe tash sikur duket që kanë marr më shumë guxim për të kërkuar zgjedhje”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se sulmet që qeveria është duke i bërë në adresë të gjyqësorit dhe prokurorisë kanë bërë që një numër i madh i qytetarë ta shikojë pozicionin e vetë kur të organizohen zgjedhjet.

Ndërsa analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, ka thënë se duke u bazuar më numrat që ka partia në pushtet gjasat për të shkuar në zgjedhje janë shumë të vogla.

Sipas tij, thirrjet e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje janë duke u bërë për arsye që në zgjedhjet e ardhshme të dalin të dytat dhe të bashkëqeverisin me LV-në.

“Bazuar ne numrin në Kuvend që ka LV-ja të deputetëve gjasat për të rënë kjo qeveri shumë shpejt janë jashtëzakonisht të vogla. Natyrisht që opozita nuk ka tjetër punë përveç që ta dërgojnë vendin ne zgjedhje në çdo kohë dhe në çdo moment pasi q presin një momentum më të mirë. Ndoshta jo që praktikisht të dalin të parat, por si të dyta apo të tretat parti të kenë një rezultat  më të favorshëm në zgjedhjet e ardhshme me një LV e cila mund t’i ketë nën 40 për qind të elektoratit të Kosovës dhe nuk do të mund ta krijoj qeverinë e re pa ndonjërën parti opozitare”, ka thënë Sadiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGjK) dhe Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve…