Kërkesë publike ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit
Burim Z Gjaka
E nderuar znj. Arbërie Nagavci, ministre e MASH-it!
Në cilësinë e drejtorit të një shkolle publike, fillore dhe të mesme të ulët po ju drejtohem me këtë kërkesë publike duke ju kërkuar trajtim më dinjitoz për drejtorët e shkollave të Republikës së Kosovës!
Të gjithë drejtorët e shkollave dhe jo vetëm, kemi pritur shumë nga Ju zonja ministre, ngase kemi konsideruar se Ju vini nga sfera e arsimit dhe i kuptoni më mirë se kushdo tjetër hallet e punëtorëve të arsimit, me theks të veçantë të drejtorëve të shkollave, mirëpo deri më tani nuk kemi vërejtur ndonjë sinjal pozitiv në këtë drejtim, të paktën në vitin e parë të mandatit.
Duke mos dashur të ju paragjykojmë për të ardhmen, po ju përkujtojmë se në shumicën e shkollave të vendit, sidomos të zonave jo urbane sot kemi drejtorë të cilët të gjitha punët në shkolla i kryejnë vet, pa u ndihmuar nga askush. Ata kryejnë menaxhimin, administratën, monitorimin, mentorimin, vlerësimin, financat, nganjëherë edhe prokurimin, madje në shkollat me numër të vogël të nxënësve, kryejnë edhe punët e koordinatorit të cilësisë. Përveç kësaj nga Drejtorët e Shkollave kërkohet monitorimi dhe mentorimi i mësimdhënësve, porse nuk u ofrohet mundësia të trajnohen (ngritën profesionalisht) për këtë çështje. Drejtorëve nuk u ofrohet mundësia as të ndjekin trajnimet për kornizën kurrikulare dhe kurikulat lëndore, ndërsa puna kryesore e tyre në përditshmëri është monitorimi i zbatimit të saj. Prandaj këtu Ju duheni ta përdorni “dorën tuaj” dhe ta ndryshoni gjendjen.
E nderuar ministre!
Kohëve të fundit është duke u punuar në hartimin e projektligjit për paga dhe derisa të gjitha institucionet i mbron ndokush neve si drejtorë askush. Nga informatat që kemi ne ky draftligj ka 20 koeficiente dhe vlera e koeficientit sillet përafërsisht 120€, ndërsa koeficienti i drejtorëve të Shkollave Fillore dhe të Mesme të Ulët është 5.1. Duke analizuar koeficientët në tërësi, ky pozicion për ne konsiderojmë se është tepër nënçmues dhe përulës pasi që nuk mund të mendohet që tërë ajo punë që u cek më lartë të llogaritet me këtë koeficient. Dallimi ynë me koeficientët e mësimdhënësve në shkollën e mesme të lartë është vetëm 0.2 ose 24€ dhe ne konsiderojmë se kjo nuk është në rregull. Për ne koeficienti për të gjithë mësimdhënësit është tepër i ulët dhe nuk duhet të pranohet, mirëpo meqënse për ta kujdeset SBASHK-u, ne po e ngritim zërin për vete, pasi që konsiderojmë se kemi mbetur sikur
“jetimë”. Pastaj koeficienti i zjarrfikësve është 5.2 që d.m.th për 0.1 më i madh se i drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta. Ne e vlerësojmë lartë punën e zjarrfikësve dhe konsiderojmë se atyre duhet t’u paguhet mundi, madje duhet t’u paguhet edhe rrezikshmëria me një shumë vlerësuese, porse mendojmë që koeficienti i drejtorëve të shkollave duhet të jetë patjetër më i lartë sesa i zjarrfikësve.
Në asnjë institucion tjetër përveç shkollave dallimi në koeficient mes drejtuesit dhe punëtorit nuk është aq i ngushtë. Nuk mund dhe nuk duhet të jetë dallimi mes drejtorit dhe mësimdhënësit në koeficient aq i ngushtë pra vetëm 0.5.
Që të mos keqkuptohemi ne nuk jemi kundër asnjë koeficienti të kategorive të ndryshme përveç atyre të sferës politike të cilët mendojmë se janë të mbivlerësuar, madje për mësimdhënësit ne konsiderojmë se asnjë koeficient nën 6 nuk duhet të vihet në konsideratë.
Prandaj po kërkojmë nga Ju ministre e nderuar, që të përdorni autoritetin tuaj që në këtë ligj pozicioni i drejtorëve të shkollave të trajtohet më me dinjitet, po ashtu edhe i mësimdhënësve dhe stafit teknik të shkollave të cilët kanë mbetur pas dore. Ndryshe ne do të organizohemi dhe do t’i mbrojmë të drejtat tona duke krijuar “Shoqatën e Drejtorëve” dhe përmes peticioneve, protestave të ndryshme e deri te bashkëngjitja në greva bashkë me të tjerat, që të vlerësohet puna jonë.
Ju zonja ministre para se ta mbroni qeverinë dhe vendimet politike, shpesh të paarsyeshme, obligoheni të na mbroni ne sepse Ju dhe gjithë të tjerët mburreni me punën tonë të cilën përveç fjalimeve pomoze gjatë fushatave zgjedhore nuk e vlerësoni asnjëherë!