Kërkimet për dy policët e zhdukur me intensitet të shtuar
Për të tretën ditë me radhë Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe qytetarë vullnetarë po zhvillojnë kërkime për dy policët e zhdukur të aksidentuar me veturë zyrtare në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik të cilët kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë” se që nga orët e hershme të mëngjesit janë duke u zhvilluar kërkimet me intensitet të shtuar.
“Prej orës 9:00 kanë filluar kërkimet me intensitet të shtuar. Në terren janë mbi 170 pjesëtarë të agjencive të ndryshme. Kërkimet janë duke u bërë në lum dhe brigjeve të lumit. Deri më tani nuk kemi asgjë konkrete. Në momentin kur ka diçka rreth këtij rasti do të njoftohet publiku”, ka thënë Gashi.
Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe më pas vetura ka rënë nga ura e lumit Lepenc.
Kërkimet po bëhen edhe në anën e kufirit me Maqedoninë. Autoritetet atje janë në kërkim për gjetjen eventuale të trupave të dy policëve, pasi dyshimet janë që rrjedha e ujit ka mundur të bart trupat e policëve.