KËRKIMFALJA DHE LIGJI I LUSTRACIONIT

19 shtator 2018 | 18:20

Lulëzim ETEMAJ

Bazuar në të dhënat e librit të prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, botim i Sh. B. Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2010, në periudhën kohore 1956- 1980 janë burgosur 901 veta, dënimet e të cilëve kapin shifrën e përgjithshme prej 6.397.1 vite burg. Ndërkaq pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dënohen 3.348 veta me 25.002.8 vjet burg, kurse në periudhën 1981- 1989, çdo i treti shqiptar ka kaluar nëpër procedurat e policisë, që, sipas një llogarie të thjeshtë, i bie se mbi 600 mijë shqiptarë kanë kaluar nëpër duart e policisë.

Këta 4249 të dënuar, ashtu si dhe çdo i treti shqiptar, janë trajtuar kryesisht nga udbashët shqiptarë. Janë trajtuar, do të thotë kanë kaluar procedurat hetimore, të cilat kryesisht janë karakterizuar me ushtrimin e torturave të egra dhe dhunës brutale. 31.399.8 vite burgim u janë shqiptuar këtyre shqiptarëve nga gjykatat e Kosovës, të dominuara prej gjyqtarëve shqiptarë, mbi bazën e aktakuzave të ngritura po ashtu nga prokurorët në shumicë shqiptarë.

Krimi i këtyre shqiptarëve të dënuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, ishte ky: përkrahja ose angazhimi, vetjak apo i organizuar, për realizimin e të drejtave kombëtare dhe lirive të njeriut për bashkëkombësit shqiptarë përmes avancimit të statusit të Kosovës në republikë, me synimin final- bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë, duke e pasur Adem Demaçin prijatar të një angazhimi të tillë politik.

Numri prej vetëm 4249 shqiptarëve të dënuar nuk duhet kurrsesi të interpretohet si numër real i shqiptarëve mbështetës të kërkesave të grupeve të organizuara politike apo kërkesës bazike të demonstratave popullore të 1968-s dhe atyre të 1981-s “Kosova Republikë”! Përkundrazi, fakti se përpjekjet politike të shqiptarëve për të drejtat e tyre legjitime nuk kanë pushuar kurrë, është tregues i qartë se përkundër ndjekjes shumë të organizuar nga ana e shtetit, shqiptarët ia kanë arritur të ruajnë me sukses organizimin dhe më këtë edhe vazhdimësinë e veprimtarisë politike atdhetare. Si rezultat i ruajtjes së këtij organizimi, Lëvizja Politike Kombëtare ka shënuar ngritje, duke kulmuar me themelimin, organizimin dhe drejtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës solli lirinë dhe krijoi parakushtet për shpalljen e Kosovës shtet sovran e të pavarur, të njohur ndërkombëtarisht nga shtetet me të fuqishme ekonomike, politike, diplomatike dhe ushtarake botërore, prirë nga SHBA-të.

Arrestimeve, torturave dhe dënimeve drakonike të të burgosurve politikë shqiptarë iu ka paraprirë dënimi politik që atyre ua ka bërë fillimisht, krahas udhëheqjes politike federale, udhëheqja politike komuniste e Kosovës, qendra e koordinimit të zbatimit praktik të politikës shtypëse të Beogradit kundër shqiptarëve lirikërkues. Ndërsa diferencimi idepolitik i këtyre të burgosurve, mbështetësve dhe atyre që s’pranonin t’i gjykonin kërkesat e tyre të drejta politike kombëtare, ishte një proces i vazhdueshëm, i pandalshëm. Ky diferencim anipse nuk kishte intensitetin paraprak, sepse edhe rrethanat e përgjithshme politike tani ishin tjera, nuk u ndal madje as pas vitit 1990, pas lirimit nga burgu të heroit të Kosovës, Adem Demaçi, dhe pas shpërbërjes së federatës jugosllave. Struktura të tëra politike të LKJ-së, tashmë të konvertuara në LDK, e vazhduan me ngulm këtë diferencim kundër ish të burgosurve politikë, duke i akuzuar ata mbi bazën ideologjike dhe etiketuar me etiketa nga më të ndryshmet.

Dhjetë vite pas shpalljes së Kosovës republikë, shtet të pavarur dhe sovran, shtrohet pyetja: ku është dhe çfarë bën tani ajo klasë politike e Kosovës? Ku janë tani prokurorët e shumtë dhe gjykatësit shqiptarë që e dënuan rininë shqiptare të Kosovës? E, udbashët e kosistët që i torturuan për vdekje apo edhe i mbytën në tortura?

A është dëgjuar ndonjëherë prej ndonjërit prej tyre, prej cilitdo grup, që t’u ketë kërkuar falje publikisht për dhunën e ushtruar, plagët e trupit dhe vuajtjet e shkaktuara, ish të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre? Jo! Përkundrazi, ka prej tyre që kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe më tej me akuza në adresë të viktimave të dhunës së tyre, ish të burgosurve politikë.
Një nga kërkesat e qytetarëve të Drenicës, që më 9 shtator e penguan presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ta vizituar fshatin Banjë të Skenderajt, ishte edhe kërkimfalja e tij për krimet dhe gjenocidin serb të kryer mbi shqiptarët gjatë luftës në Kosovë.

Pse u dashka kursyer nga kërkesa për kërkimfalje ish klasa politike e Kosovës, udbashët, kosistët, prokurorët dhe gjyqtarët, që ishin në shërbim të huaj, të një shteti të huaj dhe shtypës ndaj shqiptarëve, atij serbosllav? A mos krimi “i ynë” qenka i mirë?! Apo edhe nuk është krim fare?!
Për të qenë ironia edhe më e madhe: një pjesë e konsiderueshme e udbashëve dhe kosistëve tashmë gjendet në pozita të larta të të gjitha institucioneve të shtetit, duke përfshirë edhe sigurinë dhe gjyqësorin, dy institucionet bazike nga të cilat varet direkt shëndeti dhe zhvilli mi i gjithanshëm i shtetit të së drejtës dhe rendit demokratik.

Shteti i Kosovës e ka për obligim jo vetëm në shenjë nderimi ndaj përpjekjeve, mundit dhe sakrificave të djeshme të popullit tonë, por edhe ndaj së ardhmes me të sigurë dhe më prosperuese të qytetarëve dhe të vendit, ta nxjerrë sa më shpejt ligjin e lustracionit. Ky ligj, i cili është dashur që të nxirret qysh pas përfundimit të luftës dhe çlirimit, në vitin 2000, krahas institucioneve të shtetit, do ta pastronte edhe skenën politike të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur…