Kërkohen edhe 11 milionë euro për energjinë në veri
Në Komisionin për Ekonomi, Industri, dhe Tregti, është duke raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për kërkesën e KOSTT-it.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-(KOSTT), është duke kërkuar edhe 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve për prodhim të energjisë në pjesën veriore të Kosovës.
Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, në raportimin e tij në Komisionin Parlamentar për Ekonomi ka thënë se “KOSTT-i nuk ka pasur mundësi të prodhojë energji për humbjet në pjesën veriore të Kosovës”.
“Konsumi në ato komuna është regjistruar si devijim i Kosovës ndaj Evropës kontinentale. Në fillim të muajit prill KOSTT ka hyrë në fazë kritike dhe nuk do të kemi të mbajmë balancimin e sistemit. Në rast se KOSTT s’mbulon shpenzimet pasojat financiare dhe ligjore do të jenë të mëdha. Kërkojmë nga Kuvendi në koordinim me Qeverinë të gjejnë një zgjidhje për mbulimin e humbjeve deri në dhjetor të këtij viti derisa të gjendet një zgjidhje afatgjate”, është shprehur ai.
Rikujtojmë se më 5 tetor të vitit të shkuar, KOSTT-i kishte kërkuar 15 milionë euro nga shteti, ndërsa Qeveria ia kishte siguruar 10.
Megjithatë, sipas KOSTT-it, buxheti ishte paraparë të mbulonte koston deri në mes të prillit, pasi kishte shpenzim enorm të energjisë.