Kërkohen hetime për konkursin e lokaleve në Ndërmarrjen Publike Banesore
Komuna e Prishtinës i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë së krimeve ekonomike që të hetojë konkursin e lokaleve në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), pas publikimit në medie të një audio-incizim të drejtorit të NPB-së me një anëtar të bordit ku dëgjohet biseda për konkurs të lokaleve dhe favorizim të bizneseve.
Sipas këtij audio-incizimi, njeri person i thotë tjetrit se nëse nuk fitojnë ato kompani, konkursi duhet të anulohet.
Nga Komisioni Komunal i Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore, aksionari Dren Kukaj, ka thënë se në këtë incizim të publikuar gjatë ditës së djeshme vërehet qartë se drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore dhe një anëtar i bordit favorizojnë biznese të caktuara.
Kukaj ka thënë se atyre si aksionarë iu është pamundësuar qasja në Ndërmarrjen Publike Banesore, i cili është shprehur se nuk kanë dashur të përleshen fizikisht dhe se për këtë arsye në mbledhjen e fundit i kanë kërkuar Policisë së Kosovës që ta vendos rendin aty.
Kërkesë e tyre, sipas Kukajt, është që personat që do të udhëheqin me Ndërmarrjen Publike Banesore të zgjidhen në mënyrë ligjore.
I pyetur nga mediet nëse prapa këtij incizimi qëndron Partia Socialdemokrate, Dren Kukaj, ka thënë se në Komunën e Prishtinës nuk paraqet qëndrimet e subjektit pjesë e të cilit është.
Ndërkohë, ai ka bërë me dije tri vendimet se si Komision i Komunal i Aksionarëve të ndërmarrjes NPB kanë marrë në mbledhjen e fundit.
Kukaj ka thënë se beson që tash edhe Kuvendi Komunal e ka të qartë se çfarë kanë bërë në mbledhjen e fundit kur ka shkarkuar Qëndrim Sahitaj nga pozita e aksionarit NPB. (Ksp)