Kërkohen programe më të avancuara për kontroll të kufirit
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) është mbajtur takimi i Bordit për Menaxhimin e Integruar në të cilët u diskutuan pikat sipas rendit të ditës.
Në këtë takim morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, zëvendësministrat, Isa Xhemajlaj, Milan Radjoevic, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, drejtori për Kufi i Policisë së Kosovës, kolonel Shaban Guda dhe përfaqësues tjerë të agjencive dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Me këtë rast, ministri Sefaj ka falënderuar anëtarët e bordit për punën e mirë që kanë bërë dhe për këtë ka theksuar se do të kenë përkrahjen e tij sa i përket shtyrjes së politikave në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit.
“Të gjithë së bashku duhet të shikojmë që në të ardhmen të krijohen programe të avancuara në bazë të koncepteve bashkëkohore për kontroll të kufirit si formë e avancuar e teknologjisë në mënyrë që të trupat e kontrollit fizik të orientohen në angazhime tjetra”, ka thënë ministri Sefaj.
Njëra ndër pikat më të rëndësishme është vlerësimi i rolit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (QKMK) dhe për mënyrat se di të zgjidhen modalitet më të mira që ka ky koncept për ofrimin e sigurisë kufitare në Republikën e Kosovës.
Me ketë rast zëvendësministri, Isa Xhemajlaj, ka theksuar se do të angazhohet konkretisht për të gjetur modalitetet më të mira sa i përket avancimit të rolit të QKMK-së, e cila ka një përgjegjësi të madhe në parandalimin e krimit në kufi dhe lehtësimin për qasje në të dhëna për agjencitë e zbatimit të ligjit.