Kërkohen prokurorë të rinj dhe staf mbështetës

16 maj 2022 | 16:41

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takim me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, si dhe kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, ku të pranishëm ishin edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët monitorojnë prokuroritë përkatëse.

Sipas njoftimit të prokurorisë, në fillim të takimit, Kelmendi është interesuar për gjendjen në secilën prokurori, me ç’rast është njoftuar për së afërmi nga kryeprokurorët për numrin e prokurorëve në prokuroritë që ata i drejtojnë, për rezultatet, të arriturat, sfidat dhe çështjet tjera me rëndësi.

“Gjatë diskutimeve të përbashkëta u theksua nevoja për plotësimin e vendeve të përcaktuara me prokurorë të rinj si dhe rekrutimin e stafit mbështetës në mënyrë që të avancohet efikasiteti dhe efektiviteti në trajtimin e lëndëve penale në secilën prokurori. Po ashtu, pjesë thelbësore e këtij takimi ishte diskutimi lidhur me rritjen e efikasitetit dhe zbatimin sa më unik të praktikave gjatë trajtimit të regjistrave penal, përkatësisht lëndëve penale me PP, PPN dhe PPP nga ana e prokurorëve, dhe trajtimi sipas afateve ligjore i ankesave të qytetarëve për rastet disiplinore ndaj prokurorëve”, ka njoftuar prokuroria.

Në fund të takimit, Kelmendi u ka ofruar bashkëpunim të ngushtë të gjithë kryeprokurorëve në adresimin dhe tejkalimin e të gjitha sfidave institucionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gerhard Progni vazhdon të prijë në listën e golashënuesve në…