Kërkohet angazhim më i madh për procedimin e projektligjeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur të enjten takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, nga të cilët ka kërkuar angazhim më të madh për procedimin e projektligjeve.
Veseli ua ka kujtuar kryetarëve të komisioneve parlamentare se një mori projektligjesh nuk iu kanë nënshtruar akoma leximit të parë në Kuvend, ndërkaq numri i atyre që do të kalojnë në dëgjimin e dytë është akoma i madh.
Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare janë 39 projektligje.
Ai ka qartësuar se shtatë projektligje (prej tyre tri marrëveshje ndërkombëtare) janë në procedurën e shqyrtimit në seancë plenare, dy projektligje të gatshme për shqyrtim të dytë në seancë plenare, 29 projektligje janë të miratuara në parim dhe gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare, 10 projektligje janë për mendim në Qeveri, të cilat pritet të procedohen nga Kryesia e Kuvendit.
Duke kërkuar angazhim dhe iniciativë më të madhe nga përgjegjësit e Komisioneve, kreu i Kuvendit, po ashtu ka bërë me dije se 9 projektligje të cilat i përkasin agjendës së integrimeve evropiane duhet të procedohen në seancë plenare deri më 31 mars.
Ndërkaq kryetarët e komisioneve parlamentare pasi raportuan për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit të tyre thanë se shumica nga projektligjet do të procedohen në harmoni me afatin e paraparë sipas Rregullores së Kuvendit.
Ata po ashtu u zotuan për një efikasitet edhe më të shtuar lidhur me projektligjet që kanë të bëjnë me agjendën e integrimeve.