Kërkohet bashkëpunim më i madh ndërmjet Qeverisë e shoqërisë civile
Është lansuar Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023. Kjo strategji synon që të rris pjesëmarrjen e shoqërisë civile në politikëbërje.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo strategji ndërlidhet me programin e Qeverisë.
“Strategjia ndërlidhet me programin e Qeverisë. Kjo strategji ka për qëllim vazhdimin e komunikimit me shoqërinë civile. Synimet e kësaj strategjie janë: rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikëbërje, rritja e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik për Organizatat e Shoqërisë Civile (OShC), zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktimin e OShC-ve për ofrimin e shërbimeve publike, dhe rritja dhe promovimi i vullnetarizmit në programet me interes publik”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se kjo strategji është një zotim shumë i rëndësishëm për dialogun me shoqëritë civile. Sipas saj ky bashkëpunim luan një rol shumë të rëndësishëm në demokracinë e vendit.
Në anën tjetër, Taulant Hoxha nga shoqëria civile, ka pasur kritika sa i përket bashkëpunimit shoqëri civile-qeveri.
“Në përgjithësi mund të them për organizatat që i përfaqësoj se jemi të dëshpëruar me bashkëpunimin. Do ta kemi shumë problem të diskutojmë për bashkëpunim të mirëfilltë kur kolegët nga partitë politike e kanë votuar një projektligj që neve na dëmton. Transparenca dhe llogaridhënia po mbesin aty ku kanë qenë para 10 vitesh. Besimi në institucione publike ka rënë shumë, faji është i përbashkët”, tha ai.
Ndaj këtyre kritikave ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Qeveria që ai drejton nuk “vajton”.
“Nuk është një qeveri që vajton. Nuk jemi një qeveri që përballet me krejt problemet e këtij vendit”, ka thënë Haradinaj.