
Kërkohet bashkëpunim më i thellë Kosovë – Shqipëri në sport
Është mbajtur konferenca sportive e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, në të cilën është diskutuar për rolin dhe mundësitë për shtrirjen e bashkëpunimit më të thellë të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sportit.
Liga Unike e basketbollit është hapi i parë që është bërë ndërmjet këtyre dy vendeve dhe kjo garë po shihet si derë e mirë edhe për bashkëpunim në sporte të tjera.
Kryetari i FShB-së, Avni Ponari, theksoi se në fillimet e tyre kishin hasur vështirësi për ta organizuar Ligën Unike, por kjo pastaj u shndërrua në një ngjarje shumë të rëndësishme duke hyrë edhe në kalendarin e FIBA-s. “Megjithëse kishim kundërshti, megjithëse kishim lloj-lloj gjërash për të mos e bërë, por arritëm të organizojmë dhe e veçanta është ta certifikojmë në FIBA Evropë. Vetë pjesëmarrja e presidentit të FIBA Evropës në ceremoninë e kësaj ligë ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme për të dy vendet. Ndërmjet basketbollit në Kosovë dhe në Shqipëri janë shumë të mëdha veçanërisht në vlera sepse unë përfitoj nga rasti për ta përgëzuar Qeverinë e Kosovës që e ka miratuar ligjin katër apo pesë vjet më parë një ligj që është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Ponari.
Bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, sipas kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është shumë i ngushtë, por mund të rritet edhe më shumë në fushën e sportit dhe jo vetëm. “Bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës si kryeqytete ka qenë i ngushtë gjithmonë, kemi bashkëpunime të ndryshme edhe në fushën e sportit dhe në shumë fusha të tjera, mirëpo gjithmonë mund të jetë edhe më i thellë dhe më i fokusuar si në aspektin e basketbollit. Ne si kryeqytet kemi marrë një numër të madh të iniciativave për ta promovuar sportin. Kemi qenë edhe në diskutim me klubet jo vetëm të basketbollit, por me Asociacionin e Klubeve të Prishtinës, me kryetarin Blerand Stavileci, ku edhe kemi diskutuar për mundësi të ndryshme, sepse kur krijohen numër i madh i ekipeve dhe bëhen bashkë, edhe në aspektin e marketingut e kanë një joshje shumë më të madhe prej bizneseve për t’u ndërlidhur dhe t’i ndihmuar këto klube sportive”, ka deklaruar Rama.
Ndërsa i pari i FBK-së, Arben Fetahu, vuri në pah nevojën e madhe që kanë federatat për të bërë organizime të tilla. “Nuk mund të bëhet kjo punë vetëm me kapacitetet tona. Na duhet përkrahja e parasë publike, e qyteteve, e MKRS-së, e të gjithë sponsoreve. Ne jemi me fat në këtë anë të kufirit që e kemi Ligjin për Sponzorizim dhe i kemi klubet tona paksa më të konsoliduara, por kjo është vetëm në anën e meshkujve”, ka thënë Fetahu.
Mbështetjen logjistike dhe financiare për federatat sportive e garantoi presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi. “Në këtë mënyrë ne promovojmë vlerat tona, vlerat shqiptare dhe promovojmë sportin në tërësi. Komiteti Olimpik i Kosovës, roli i tij është t’i përkrahë të gjitha federatat, në veçanti në këtë rast edhe Federatën e Basketbollit, një sport që është shumë i dashur për qytetarët e Kosovës, sport shumë atraktiv dhe shumë i mirë që e duan të gjithë dhe unë besoj se është në rrugën më të mirë të mundshme dhe çdo ditë e më shumë po përparon. E dimë sa ka nevojë një federatë ekipore për financa… Shumica e bizneseve e kanë kuptuar rëndësinë, sepse jo vetëm që japin, por edhe përfitojnë nga tatimi në fitim. Besoj se të gjitha federatat në njëfarë mënyrë kanë biznese të caktuara dhe përfitime nga ato”, ka thënë Krasniqi.
Në Prishtinë më 26 dhe 27 mars do të zhvillohet Final 4 i Ligës Unike të Basketbollit.