Kërkohet bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim integrimin evropian
Në Prishtinë është mbajtur një konferencë shumë e rëndësishme për vendet e Ballkanit e cila kishte në agjendë disa pika shumë të rëndësishme që kanë si qëllim integrimin dhe bashkëpunimin. Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Safet Gërxhaliu sekretar gjeneral në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, tha se duhet së më shumë bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që të hapet perspektiva e qartë drejtë integrimit në familjen e madhe evropiane.
“Është koha të çlirohemi nga e kaluara dhe populizmi. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është zhvillimi ekonomik, me bashkëpunim do të kthehet besimi i humbur i të rinjve. Për sektorin privat për vitet e ardhme do të jetë sfidë, pasi që rinia është e ardhmja e të gjithëve”, tha ai, transmeton televizioni publik.
Sipas tij integrimi në familjen e evropiane, nuk është vetëm integrimi politik, por edhe ekonomik.
“Dialogu dhe partneriteti rajonal është me rëndësi për të pasur më shumë bashkëpunim. Zhvillimi ekonomik krijon stabilitet social i cili në Ballkan shpesh ka qenë i brishtë”, deklaroi ai.
Gërxhaliu vlerësoi se sundimi i rendit dhe ligjit është parakusht për të pasur perspektivë dhe më shumë investime në Ballkanin Perëndimor.