Kërkohet bashkëpunim në rastet e hetimeve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, i cili ishte i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit në këtë Agjenci, Blerim Kelmendi.
Thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, tejkalimi i sfidave dhe përmirësimi i punës së përbashkët, veçanërisht, avancimi i komunikimit gjatë zbatimit të kërkesave ligjore, unifikimi i praktikave nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta, si dhe diskutimi i modaliteteve për zbatimin sa më efikas të legjislacionit të ri për luftimin e korrupsionit, ishin disa nga çështjet përmbajtjesore, të cilat u diskutuan në takimin e përbashkët ndërmjet ushtruesit së detyrës së Kryeprokurorit Kelmendi dhe drejtorit Buleshkaj.
Me këtë rast, u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar përkushtimin, nevojën dhe rëndësinë e madhe të bashkëpunimit të dyanshëm, sidomos për aspektet që kanë të bëjnë me rastet e hetimeve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit u pajtuan që të ketë angazhim dhe koordinim të shtuar në përmbushjen së më efikase të përgjegjësive ligjore të institucioneve përkatëse.