Kërkohet buxhet për shkollat shqipe në diasporë

13 dhjetor 2018 | 14:08

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka raportuar të enjten para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Para anëtarëve të këtij komisioni, ai ka shpalosur planin për Ligjin për diasporën, si dhe u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Puna e tij është kritikuat për mosefikasitet dhe informim në kohë të duhur sa u përket dëgjimeve publike me diasporën.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga ministri Gashi që të koordinohet me kryeministrin dhe të ndahet buxhet nga shteti i Kosovës për fëmijët shqiptarë në diasporë për mësim në gjuhën shqipe.

Nëse një gjë e tillë nuk bëhet, sipas Konjufcës atëherë pas 30 apo 40 vitesh ata rrezikojnë ta humbin identitetin kombëtar.  “Ju ftoj të jeni më fleksibil në punën tuaj. Kam thënë edhe më herët se deri në prill s’mund ta kemi një Ligj për diasporën. Janë rreth 200 mijë fëmijë në diasporë dhe shteti i Kosovës duhet ta merr për barrë shkollimin e tyre, në të kundërtën rrezikojmë që ta humbin identitetin kombëtar pas 30 apo 40 vitesh”, ka deklaruar Konjufca.

 

Po ashtu vërejtje për punën e ministrit Gashit ka dhënë edhe deputetja tjetër e LV-së, Fitore Pacolli, e cila ka thënë se Ministria e Diasporës nuk e ka informuar me kohë diasporën për dëgjimet publike.

“Ne kemi pasur takime të shumta në Francë, në Suedi, në Turqi dhe nuk ka pasur informim të duhur se kur janë dëgjimet publike me ta. Në Turqi e dimë se si janë shpërngulur dhunshëm ata. Nuk u është përkthyer projektligji në gjuhën turke pasi dihet që disa nga shqiptarët atje e kanë të vështirë praktikumin e gjuhës shqipe. Po ashtu edhe diskutimi në Berlin ka dështua pasi vetëm tre veta ishin të pranishëm. Pra pothuajse çdo takime e bëni ad-hoc”, ka thënë Pacolli.

Ministri Gashi në përgjigjet e tij ka theksuar se sa i përket mësimit në gjuhën shqipe dhe programit televiziv, janë në koordinim me shtetin shqiptar që të bëhet një koordinim i përbashkët.

Ai ka thënë se në këtë drejtim problemi qëndron te shteti shqiptar për koordinimin financiar.

Sipas Gashit po kërkohet program për diasporën dhe jo kanal i veçantë.

A.MAVRAJ /Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar Mujë Krasniqin…