Kërkohet dorëheqja e Avokatit të Popullit

22 nëntor 2021 | 20:05

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar dorëheqjen e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, pasi ky i fundit ka refuzuar ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese ankesën  e ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka. Kjo parti ka bërë me dije se ky institucion ka dalë hapur në krah të pushtetit. Ndërsa njohësit e çështjeve juridike dhe politike kanë vlerësuar se Avokati i Popullit duhet ta dërgojë ankesën e Dakës në Kushtetuese. Sipas tyre, mosdërgimi i kësaj ankese në Gjykatën Kushtetuese mund të interpretohet si interpretim i Kushtetutës nga Avokati i Popullit

Vendimi i Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, për të mos e dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankesën e ish-kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, kundër vendimit të presidentes Vjosa Osmani për ndërprerjen e mandatit të saj si kryesuese e këtij komisioni, ka nxitur shumë kritika ndaj këtij institucioni.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar dorëheqjen e Naim Qelajt nga ky post, kurse shoqëria civile ka vlerësuar se veprimi i këtij institucioni mund të interpretohet si interpretim i Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i Avokatit të Popullit për ta refuzuar ankesën e ish-kryetares së KQZ-së është i turpshëm.

“Nuk është Avokati i Popullit ai që duhet ta vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij akti. Avokati i Popullit është ai që mbron të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës dhe në këtë rast do të duhej ta dërgonte rastin në Gjykatën Kushtetuese. Nga sot atij veç Avokat i Popullit nuk mund t’i themi. Mund t’i themi ‘avokat i Vjosa Osmanit. Unë nuk mendoj që ai e meriton të qëndrojë në atë pozitë. Vlerësimet e tij janë të papranueshme. Vlerësimet se vendimi paska qenë në përputhje me Kushtetutën janë të papranueshme dhe mendoj se pas këtij akti të turpshëm, ai nuk do të duhej të qëndronte në atë zyrë. Do t’i bënte nder edhe vetes dhe pozitës që të japë dorëheqje”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Ai ka paralajmëruar se nuk do të ndalen përpjekjet për ta siguruar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve të deputetëve për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

“Kam pasur përpjekje të vazhdueshme dhe nuk kemi arritur pajtim. Unë nuk do të ndalem deri në ditët e fundit, sepse këtu kemi të bëjmë qartazi me shkelje kushtetuese. Nuk po e them vetëm si opozitë, këtë e ka thënë edhe Raporti i Progresit, prandaj deri në ditët e fundit do të merrem me këtë çështje”, ka deklaruar Tahiri.

Avokati i popullit nuk duhet ta interpretojë Kushtetutën

Edhe njohësit e proceseve juridike dhe politike kanë kritikuar veprimin e Avokatit të Popullit. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vendimi i këtij institucioni për mosadresimin e ankesës së Dakës mund edhe të interpretohet si interpretim i Kushtetutës.

“Institucioni i Avokatit kërkesën e znj. Daka e ka shqyrtuar nga këndi i të drejtave individuale duke anashkaluar interesin publik, ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së dhe asaj që KQZ-ja përfaqëson në një shtet demokratik. Në këtë kuptim, edhe vendimi për të mos dërguar rastin në Kushtetuese është shqyrtuar nga prizmi i të drejtave individuale dhe jo në kuptim të kontrollit të kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentes për shkarkimin e znj. Daka. Për më tepër, Avokati i Popullit është i autorizuar ta referoj kërkesën e znj. Daka në Gjykatë Kushtetuese, përderisa vendimi për mosdërgim mund edhe të interpretohet si interpretim i Kushtetutës”, ka deklaruar Miftaraj.

Ai i ka ftuar subjektet politike që të mos e sulmojnë institucionin e Avokatit të Popullit.

“Në anën tjetër, edhe përkundër faktit se publiku ose partitë politike nuk mund të pajtohen me këtë qasje të Avokatit të Popullit, Institucioni i Avokatit të Popullit luan rol të rëndësishëm për promovimin e të drejtave dhe lirive në Kosovë, të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj. Andaj, edhe partitë politike nuk duhet që në publik ta atakojnë institucionin e Avokatit të Popullit edhe në rastet kur nuk pajtohen me vendimet e tij, pasi kjo konsiderohet ndërhyrje e rëndë në pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni”, është shprehur ai.

Kurse analisti politik Ilir Ibrahimi ka vlerësuar se Avokati i Popullit nuk është kompetent për të bërë interpretime të Kushtetutës. Sipas tij, ky institucion e ka për obligim që ankesën e Dakës ta dërgojë në Kushtetuese.

“Avokati i Popullit nuk është kompetent për të bërë interpretime të Kushtetutës, por të sigurohet që çdo qytetar të ketë të drejtë për mbrojtje juridike. Kërkesa e zonjës Daka ka qenë kjo – pra t’i mundësohet mbrojtja juridike para një gjykate kompetente, në këtë rast Gjykata Kushtetuese. Gjithçka që duhet të bëjë Avokati i Popullit është ta përcjellë këtë lëndë në gjykatën kompetente për interpretim. Në rast se nuk e bën një gjë të tillë, kjo zyrë do t’i mohonte një qytetari të republikës mbrojtjen juridike e cila sigurohet me Kushtetutë, e që në mënyrë implicite do të paraqiste shkelje të Kushtetutës”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet  në “Facebook”.

Më 18 nëntor Avokati i Popullit ka njoftuar se e ka refuzuar kërkesën e Valdete Dakës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani, përmes të cilit ia ka ndërprerë asaj mandatin. “Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për ta emëruar kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj. Çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (neni 61, paragrafi 5) mbi të cilin, mes të tjerash, bazohet vendimi nr. 42/2021, i datës 14 qershor 2021 i presidentes së Republikës së Kosovës. Së këndejmi, Avokati i Popullit ka vlerësuar se çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e vendimit të presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese”, është thënë në njoftimin për media të Avokatit të Popullit.

Sipas këtij institucioni, Daka nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike të cilat duhet të shterohen para se çështja të ngrehet në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kishte kërkuar nga Avokati i Popullit që ta shqyrtojë shkarkimin e saj nga presidentja Vjosa Osmani, duke kërkuar që çështja e shkarkimit të saj të dërgohet në Kushtetuese.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me dëgjimin dëshmitares K.B të hënën ka vazhduar gjykimi ndaj…