Kërkohet drejtësi për të miturin e vrarë në Fushë Kosovë
Në Prishtinë është mbajtur një marsh protestues me moton “Kundër racizmit”.
Marshi ka filluar nga sheshi “Skënderbeu” dhe ka vazhduar deri te Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me, siç u tha, mosveprimin e institucioneve përgjegjëse, policisë dhe prokurorisë, në lidhje me raportimet për abuzimin e të miturit, 11-vjeçar, i cili ishte gjetur i vdekur më 11 korrik.
Gazmend Qyqalla, aktivist nga komunitetet joshumicë, rom e ashkali, ka thënë se kjo ishte një “qasje raciste dhe vrasje institucionale”, pasi askush nuk ka vepruar që ta parandalonte vrasjen dhe ta ndihmonte viktimën.
Policia ka arrestuar tashmë personin e dyshuar për vrasje, por familja e viktimës po i akuzon organet e rendit për mosveprim.
Marshi në Prishtinë, ka pasuar protestën e mbajtur në Fushë Kosovë ku edhe jeton familja e të vrarit. /Rel/