Kërkohet ekstradimi i izraelitit që kreu krime në Kosovë
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se Kosova po kërkon ekstradimin e një shtetasi izraelit, pasi ai kërkohet nga drejtësia kosovar për vepra që lidhen me krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore.
“Në zbatim të kompetencave të mia në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, kam kërkuar ekstradimin e shtetasit izraelit M.H., i cili kërkohet nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, për vepra penale që lidhen me krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Tahiri shkruan se përveç veprave penale, i kërkuari i ka bërë dëm të madh dhe imazhit të shtetit të Kosovës.
“Do të bëj çfarëdo që është e mundur që ky person, i cili përveç veprave penale, ka bërë një dëm të madh ndaj imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, të sillet para organeve të drejtësisë për t’u përgjigjur për veprat e bëra”, ka shkruar ai.