Kërkohet hapja e një zyre komunale për konsumatorët në Mitrovicë
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka pritur të mërkurën në një takim pune kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Sherif Zejnullahu, dhe kryetarin e OJQ-së “Konsumatori”, Selantin Kaçanikun, me të cilët ka biseduar për punën e këshillit dhe çështje tjera, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e tyre.
Kryetari Zejnullahu, fillimisht prezantoi punët të cilat ata i kryejnë nëpërmes këtij këshilli si dhe paraqiti edhe idenë e hapjes së një zyre komunale për konsumatorët, me qëllim ata të mund të marrin këshillat e nevojshme, apo edhe të mund ti paraqesin rastet e shkeljes së të drejtës së konsumatorit.
Nënkryetari Mujka e vlerësoi punën dhe rolin e këshillit për mbrojtjen e konsumatorit dhe shprehi gatishmërinë e Komunës së Mitrovicës për bashkëpunim me ta, me qëllimin e vetëm, që konsumatori të jetë i mbrojtur gjatë konsumit të përditshëm. “Ne si komunë do të mundohemi të gjejmë ndonjë zyrtar në komunën tonë që të kryej këtë detyrë sepse konsumatori është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë një person që të merret me edukimin dhe kujdesin ndaj tij”, ka thënë nënkryetari Mujka.