Kërkohet heqja e orës policore

21 dhjetor 2021 | 12:16

Në kohën kur shumë vende të Evropës kanë shtrënguar masat kundër Covidit shkaku i variantit të ri “Omicron”, në Kosovë po kërkohet lirimi i këtyre masave. Përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë thënë se nuk ka asnjë argument shkencor se kjo masë ndihmon në luftimin e përhapjes së pandemisë.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ora policore do të jetë vetëm pengesë për qytetarët gjatë festave të fundvitit. “Asociacioni i Komunave të Kosovës së bashku me drejtorët komunalë i kanë përkrahur dhe do t’i përkrahin të gjitha masat që kanë dhënë rezultat dhe japin rezultat sa i përket parandalimit të përhapjes së Covid-19, por kemi edhe argumente shkencore që ora policore nuk e lufton pandeminë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka vlerësuar se lehtësira duhet të ketë edhe për qytetarët e imunizuar. “Gjithashtu, gjatë festave të fundvitit masa e orës policore duhet të largohet në tërësi. Kërkojmë edhe nga diaspora që të vaksinohet, në mënyrë që edhe ne të kemi një fundvit të suksesshëm dhe ta festojmë në mënyrë të dinjitetshme. Besojmë që vetëdija e qytetarit në Kosovë dhe jashtë saj është në nivel të tillë që të vaksinohen apo të imunizohen, sepse po shihet që vetëm vaksinimi apo imunizimi është arma e vetme që po lufton parandalimin e përhapjes së Covid-19”, ka thënë ai.

Të njëjtën kërkesë për qeverinë e ka pasur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka bërë me dije se ndalim-qarkullimi është masa kundër diasporës në vend. “Të dashur motra e vëllezër që jetoni jashtë vendit, rrugët tuaja drejt vendlindjes nuk u ndalën asnjëherë, as dikur në rrethana okupimi e as sot në liri. Ju u jepni kuptim festave të fundvitit, të cilat do të ishin të zbehta pa ju dhe kjo jo vetëm për faktin që familjet çmallen me ju, por edhe gjallërimi që i bëni ekonomisë së shtetit tonë të përbashkët, vendlindjes suaj. U bë më shumë se një vit që edhe Kosova po përballet me pandeminë ashtu sikur vendet ku jetoni e punoni ju. Fatmirësisht, në këtë fazë ne kemi shumë më pak të infektuar”, ka shkruar Haradinaj në profilin e vet në “Facebook”. Sipas tij, Kosova duhet ta mirëpresë diasporën e jo ta kufizojë lëvizjen e tyre. “Sot i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, që të heqë masën e ndalim-qarkullimit, për të mundësuar kështu udhëtim të lirë e pa pengesa për diasporën tonë. Ne duhet t’i mirëpresim motrat e vëllezërit tanë e jo t’i kufizojmë me masa që ekspertët po i konsiderojnë joshkencore dhe jo të nevojshme për menaxhimin e pandemisë!”, ka shkruar Haradinaj.

 

Ministria e Shëndetësisë kundër lirimit të masave

Një ditë më parë institucionet shëndetësore janë shprehur kundër lehtësimit të masave kundër Covidit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i respektojnë masat kundër Covidit edhe gjatë festave të fundvitit. “Dhjetori na gjen me situatën epidemiologjike relativisht të qetë, mirëpo nën rrezikun e lartë për një valë të re gjatë javëve në vijim, gjë që na detyron përsëri ta rritim vigjilencën tonë. Si gjithnjë, do t’i mirëpresim mërgimtarët tanë sepse janë pjesë integrale e shoqërisë sonë, megjithëse edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet masive, sepse paraqesin rrezik të lartë në këtë situatë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Kjo ministri ka treguar se masat do të lehtësohen vetëm pas analizave të reja epidemiologjike dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore. “Ministria e Shëndetësisë nuk njeh detyrë më të rëndësishme sesa të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion. Për këtë arsye janë ndërmarrë masat kufizuese edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare, duke marrë parasysh rreziqet e lartpërmendura. Megjithatë, jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja të analizës epidemiologjike dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore mbi të cilat ne do t’i përditësojmë masat konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë”, ka treguar MSh-ja.

Edhe IKShPK-ja ka bërë me dije se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja. “Ne jemi duke vazhduar pa ndërprerë gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, andaj IKShPK apelon te të gjithë qytetarët që të festojmë së bashku duke respektuar masat sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka bërë me dije IKShPK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprim Delijaj shpall te pavlefshme dëftesat kl l - lX…