Kërkohet hulumtim për punësimet dhe ndikimet politike në PTK
Komisioni hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala ka mbajtur takimin e parë të punës në të cilin është kërkuar që mandati i këtij komisioni të jetë gjashtë muaj.
Kryetari i këtij komisioni, Visar Ymeri, ka vlerësuar se një prej çështjeve me rëndësi për trajtim janë kontratat e dëmshme në këto dy institucione.
Ai theksuar se një hulumtim i detajuar duhet të bëhet edhe për ndikimet politike dhe punësimet në PTK.
Ymeri ka bërë me dije se hulumtimi i këtij komisioni për këtë ndërmarrje publike duhet të nisë prej vitit 2009.
Ndërsa, deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka theksuar se ky komision do të duhet që si fushëveprimtari ta këtë trajtimin e kontratave të dëmshme që PTK-ja i ka bërë me institucione të ndryshme, punësimet e fundit dhe ngecjet në zbatimin e kodit +383.
Ajo ka thënë se edhe pak i duhet PTK-së që të rrëzohet për toke.
Në anën tjetër, deputeti Milaim Zeka, iniciatori i këtij komisioni ka kërkuar që të hetohen shpenzimet e menaxhmenteve duke filluar prej vitit 2008-2009.