Kërkohet investim në arritjen e barazisë gjinore
Grupi i Grave Deputete, me mbështetje të UNFPA-së, organizoi tryezë në Komunën e Kaçanikut.
Komuna e Kaçanikut ka qenë nikoqire e tryezës lidhur me prezantimin e planit të punës të Grupit të Grave Deputete, si dhe bashkëpunimit midis deputeteve Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe asamblistëve.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuese të grupeve të grave nga komunat Ferizaj, Hani i Elezit, Shterpcë dhe Kaçanik.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se është një nder dhe privilegj që Komuna e Kaçanikut është zgjedhur nikoqire e këtij takimi të rëndësishëm, përmes të cilit do të shkëmbehen përvojat më të mira si nga niveli qendror ashtu edhe nga ai lokal në fushën e barazisë gjinore.
Kryetari Ilazi ka theksuar se deri më tani nuk ka refuzuar asnjë kërkesë apo projekt që ka qenë nga iniciativa e grave asambliste komunale.
Ndërkohë, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, ka pohuar se edhe në këtë takim do të diskutohen temat në interes të përbashkët, duke shtuar se nëse shoqëria investon në arritjen e barazisë gjinore, përfiton e gjithë shoqëria.
Ajo ka uruar që secilit t’i jepen mundësi të barabarta për të dy gjinitë, ngase, ky investim, sipas saj, ndikon pozitivisht si në aspektin ekonomik, ashtu edhe ato sociale dhe politike, duke shfrytëzuar potencialin e grave dhe burrave.
/Epoka e re/