Kërkohet kufizimi i numrit të zëvendësministrave në dy për ministri

03 korrik 2020 | 15:51

Demokraci Plus përmes një komunikate për medie ka bërë me dije se të premten janë bërë një muaj nga zgjedhja e qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive.

“Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende. Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm shtatë janë gra apo 15 për qind dhe 39 burra apo 85 për qind. Për më tepër, vendimet e qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave nuk janë publike, si dhe emrat e tyre nuk janë publikuar në uebfaqet zyrtare të ministrive përkatëse”, thuhet në komunikatën e Demokraci Plus.

Sipas kësaj organizate, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK-ja përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus.

“Përmes kësaj deklarate, LDK-ja është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK-ja si udhëheqëse e qeverisë që t’i përmbahet. Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit”, theksohet në komunikatën e Demokraci Plus.

Në këtë drejtim, Demokraci Plus  ka kërkuar që: Të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri; Mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin; Të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie; Zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar; Zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral; Të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave; Të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave;

Të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, para disa ditësh ka prezantuar Projektligjin për Qeverinë, ku për tri javë do të jetë në diskutim publik, e më pas do të procedohet për votim në Qeveri dhe Kuvend.

Ai u ka bërë thirrje Instituteve profesionale, ekspertëve e partive politike, shoqërisë civile e akterëve qeverisës në të gjitha nivelet, që të japin ide e komente për këtë projektligj, i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës. “Ligji rregullon organizimin e funksionimin e qeverisë, përcakton vija të qarta të llogaridhënies, kompetencave e të kufizimeve në të gjitha situatat, numrin e dikastereve, të ministrave, të zëvendësministrave, të emëruarve politikë e të stafit përcjellës”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministri Tahiri ka thënë se Kosova sa më parë duhet ta ketë Ligjin për Qeverinë, në mënyrë që  t’i përcaktojë një herë e përgjithmonë detyrat dhe kompetencat e qeverisë në kohë zgjedhjesh, të qeverisë në detyrë ose të dorëhequr, në situatë të gjendjes së shpallur të jashtëzakonshme e kështu me radhë, pra që të mënjanohen situatat e paqarta e anomalitë me të cilat jemi përballur deri me tash, kjo për shkak të mungesës së këtij ligji.

Projektligji për Qeverinë parasheh të ketë tre zëvendëskryeministra, 15 ministri, dy ministri në diskrecion të mandatarit, rreth 40 zëvendësministra, si dhe rreth 250 këshilltarë politikë. Tahiri ka thënë se ky projektligj do të sjellë organizim dhe funksionim më të mirë të qeverisë. “Projektligji parasheh tre zëvendëskryeministra, 15 ministri, dy ministri në diskrecion të mandatarit. Rreth 40 zëvendësministra, rreth 250 këshilltarë politikë dhe nënpunës të kabineteve. Nuk ka ministra pa portofol. Ndalohet krijimi i trupave shtesë me funksione paralele”, ka thënë Tahiri para medieve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës nuk ka mjete të mjaftueshme për të…