Kërkohet lirimi i aktivistëve dhe deputetëve të Vetëvendosjes
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, pas mbledhjes se djeshme, ka lëshuar një deklaratë, nëpërmjet të cilës ka kërkuar lirimin e aktivistëve të kësaj lëvizje të cilët janë dënuar me burgim për shkak të sulmit ndaj Kuvendit.
Po ashtu, ky këshill ka kërkuar drejtësi për Astrit Deharin dhe liri për deputetët e Vetëvendosjes të cilët ndodhen në paraburgim për shkak hedhjes se gazit lotsjellës në Kuvend.
Deklarata e plotë Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje:
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e tij XXXI-të, del me këtë deklaratë sa i përket përndjekjes dhe dënimit të padrejtë të aktivistëve Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, si edhe arrestimit të deputetëve Albin Kurtit e Donika Kadajt, por edhe përndjekjes së padrejtë gjyqësore të Albulena Haxhiut e Faton Topallit e të deputetëve të tjerë që po ballafaqohen me procese gjyqësore të ndara për të njëjtën çështje, dhe kërkon me insistim drejtësi për rastin e Astrit Deharit.
Prej më shumë se 15 muajsh, në Kosovë po ndodh një padrejtësi e madhe në formë skandali politik e ligjor, që përmban në vetvete shkelje të të drejtave universale njerëzore, por edhe shkelje të parimeve të shtetit demokratik e të drejtësisë. Gjashtë aktivistë të pafajshëm u arrestuan me një akuzë të përbindshme: për terrorizëm. U arrestuan pa prova e dëshmi, qoftë edhe minimale. U mbajtën fillimisht në burg, edhe pse shumë shpejt u dëshmua, prej dëshmitarëve dhe kamerave të sigurisë, se në momentin kur ka ndodhur veprimi për të cilin akuzohen, të gjithë aktivistët kanë qenë në punë të vet e diku tjetër.
Astrit Dehari ka qenë një prej aktivistëve të arrestuar nën akuza të montuara, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se është vrarë në burgun e Prizrenit. Dyshim bazohet në raportin mjekoligjor të dy mjekëve të caktuar nga familja Dehari, bazohet në gënjeshtrat e dëshmuara prej zyrtarëve të lartë të policisë dhe të pushtetit, si dhe bazohet tek vdekja po aq e dyshimtë, disa muaj më vonë, e dëshmitarit kryesor të këtij rasti, Naser Makollit, i cili vuante dënimin në të njëjtën qeli me Astrit Deharin. Sot e kësaj dite, pushteti ende nuk po lejon që të ketë hetime të pavarura për rastin vdekjes në burg në rrethana të dhunshme të Astrit Deharit, duke penguar zbardhjen e asaj që mund të konsiderohet vrasja më e rëndë politike që ka ndodhur në rrethana të tilla.
Katër aktivistë, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha u mbajtën në paraburgim dhe në arrest shtëpiak në një proces të stërzgjatur, edhe pse seancë pas seance u vërtetua pafajësia e tyre dhe u rrëzuan të gjitha përpjekjet e prokurorit të porositur nga regjimi. Madje edhe ekspertiza e ardhur nga FBI-ja amerikane ka dëshmuar se nuk ka asnjë provë që të fajësojë katër aktivistët tanë.
Megjithatë, ashtu pa prova, në shkelje të të drejtave njerëzore e të ligjeve, Gjyqtari Beqir Kalludra, i shndërruar në vegël të regjimit, i dënoi aktivistët e Lëvizjes me 21 vite e gjysmë burgim. Në Kosovën tonë, ku kriminelët janë në pushtet, të pafajshmit dënohen në mënyrë kriminale. Lëvizja Vetëvendosje e konsideron kulmin e padrejtësisë këtë vendim.
U desh që aktivistët të organizoheshin në protesta e demonstrata kundër këtij vendimi të padrejtë. Por përqendrimi tek zgjedhjet lokale, ashtu si edhe situata e brendshme në Lëvizje dhe ndërprerja e funksionimit normal të disa organeve vendimmarrëse, e kanë vonuar për një kohë një pjesë të vendimeve që Lëvizja do të duhej t´i kishte marrë që herët.
Kryetari Visar Ymeri, në një vjetorin e vrasjes së Astrit Deharit, paralajmëroi regjimin me një ultimatum, me synim lejimin e hetimeve të pavarura në rastin e Astrit Deharit.
Kërkesa jonë për lirimin e aktivistëve, është pjesë e së njëjtës çështje, ndaj do ta trajtojmë politikisht bashkë dhe njësoj me kërkesën për drejtësi për Astritin. Ne kërkojmë njëkohësisht drejtësi për Astritin dhe liri për aktivistët. Nëse regjimi vazhdon të mos veprojë, ne do të organizohemi në protesta.
Këshilli i Përgjithshëm i bën kërkesë kryetarit, kryesisë dhe Sekretariatit të Përgjithshëm, që të përcjellë me vëmendje kërkesat e familjarëve dhe të avokatëve të aktivistëve të dënuar, duke bërë ç´është e mundur, me të gjitha kapacitetet njerëzore, logjistike e financiare të Lëvizjes, që kjo çështje të avancojë në shkallët më të larta të gjyqësorit. Po ashtu, i bëjmë kërkesë strukturave tona drejtuese që të jenë sa më aktive, në çdo rast, për ta vetëdijësuar publikun e brendshëm dhe për ta ndërkombëtarizuar sa më shumë problemin e dënimit të padrejtë e kriminal të aktivistëve të pafajshëm, si edhe çështjen e hetimit të pavarur për vrasjen e Astrit Deharit.
Sikur i gjithë ky sulm kriminal i regjimit ndaj aktivistëve të mos mjaftonte, tashmë deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj mbahen në paraburgim, ndërsa Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli po i vazhdohet persekutimi përmes një gjyqi kryekëput politik, vetëm nga që dolën në mbrojtje të Republikës kundër “Zajednicës” dhe marrëveshjes së padrejtë të Demarkacionit me Malin e Zi. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si dhe Komisioni i ri shtetëror për Demarkacionin, u ka dhënë të drejtë dhe e ka legjitimuar veprimin që kanë ndërmarrë deputetët e Lëvizjes në mbrotje të Republikës. Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik më i madh në vend, dhe as nuk pajtohet e as nuk do ta lejojë arrogancën e gjyqësorit të kapur ndaj deputetëve tanë, të cilët nuk kanë bërë asnjë krim, por vetëm kanë mbrojtur territorin dhe të ardhmen e Kosovës.
Ne kërkojmë me këmbëngulje që institucionet të reagojnë ashtu siç është e drejta dhe ligji, t´i lirojnë aktivistët dhe deputetët e pafajshëm, dhe të mundësojnë të bëhet drejtësi për rastin e Astrit Deharit. Siç është bërë me dije publikisht, në marshin protestues të datës 5 nëntor 2017, regjimi ka një afat, dhe ai afat është muaji shkurt 2018. Më tej nuk do të ketë më kërkesa, por protesta e demonstrata.