Kërkohet mbështetje financiare për OJQ-të në Mitrovicë
Drejtoria e Administratës, respektivisht Njësia për të Drejtat e Njeriut në Komunën e Mitrovicës ka bërë thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare dhe financimin e projekteve për të gjitha organizatat joqeveritare të cilat veprojnë në Komunën e Mitrovicës, e të cilat merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara, promovimin dhe avancimin e femrave në vendimmarrje, barazi gjinore dhe të drejtat e komuniteteve.
Koordinatori i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, Fitim Rama, ka thënë se Komuna e Mitrovicës sipas mundësive buxhetore është duke i mbështetur financiarisht OJQ-të, të cilat përmes aktiviteteve të tyre synojnë zhvillimin dhe avancimin e femrave në vendimmarrje, ngritjen e njohurive mbi të drejtat e njeriut si dhe përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara.
Ai ka shtuar se shuma e përgjithshme e mbështetjes financiare për këtë thirrje është 15 500 euro.
/Epoka e re/