
Kërkohet mbrojtje institucionale për punonjësit shëndetësorë
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka vizituar infermierin i cili është therur të shtunën me thikë në vendin e tij të punës.
Në një vizitë bashkë me kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, kryetarin e Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, përfaqësuesin e Odës së infermierëve, Muharrem Arifi dhe Flutura Sinani, nga Shoqata për të drejtat e pacientëve, kanë kërkuar mbrojtje institucionale për të gjithë punonjësit shëndetësorë.
“Ata gjatë vizitës shprehen keqardhje lidhur me sulmin, duke i ofruar mbështetjen e këtyre institucioneve për infemierin. Duke i uruar shërim të shpejtë, u urua që ky të jetë rasti i fundit dhe institucionet kompetente të ndërmarrin masa që sulmuesit e punëtorëve shëndetësorë të dalin para drejtësisë. Po ashtu, është kërkuar mbrojtje institucionale për të gjithë punonjësit shëndetësorë. Infermieri ka gjendje shëndetësore stabile”, është thënë në njoftimin për medie të ShSKUK-së.