Kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve dhe angazhimi i ekspertëve për reformën zgjedhore
Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë e ka miratuar planin e punës së komisionit, përderisa për buxhetin është thënë se do të diskutohet pas takimit me partnerët ndërkombëtarë.
Me ndërkombëtarët është bërë me dije se do të diskutohet edhe për mënyrën se si do të realizohet reforma.
Po ashtu, ky komision ka marrë vendim që brenda kësaj jave të ketë takim me shoqërinë civile, kurse më 25 dhe 26 tetor të mbahet punëtori dyditore.
Kryetari i komisionit, Abelard Tahiri, ka thënë se partitë kanë të drejtë të angazhojë ekspertë në bazë të numri të deputetëve, duke shtuar se deri në fund të javës duhet të dërgohet emrat e propozuar.
“Propozimi është t’i shtohet edhe një caktimi i ekspertëve nga Grupet Parlamentare. Do të ishte e mirëseardhur angazhimi i ekspertëve në mënyrë që të jemi më efektiv ne punën tonë si komision. Propozohen 2 këshilltarë nga LV-ja, një nga PDK-ja, një nga LDK-ja dhe një nga AAK-ja. Ne duhet t’i procedojmë deri në fund të kësaj jave emrat”, ka thënë Tahiri.
Sa i përket shqyrtimit të planit të punës, Tahiri ka thënë se duhet të jenë sa më fleksibil, duke përmendur një varg çështjesh të cilat do të adresohen nga ky komision.
“Ajo çfarë mund të adresojmë janë çështje që kërkojnë ndryshime ligjore. Ne mund t’i propozojmë seancës ndryshimet ligjore. Sa i përket takimeve me partnerë të zyrës së BE-së kanë qenë vazhdimisht në monitorimin e zgjedhjeve. Nuk mendoj që duhet me u ndalë, por me vazhduar me qenë pjesë e takimit. Në këto rrethana është krijuar ky komision ad-hoc. Adresimi te keqpërdorimi i votës duhet t’i trajtojmë. Edhe ndryshimet kushtetuese, edhe çështjet ligjore duhet të jenë pjesë e diskutimit”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është i nevojshëm konsensusi për të arritur një dakordim për këtë çështje.
“Propozoj sa më parë të japim emra për këshilltar dhe ta mbështesin. Puna jonë është t’i analizojmë të gjitha rekomandimet e partive politike, shoqërisë civile. Ne në Kuvend duhet të dërgojmë raportin me rekomandime. Ne na duhet konsensus. Ne po koncentrohemi tek Ligji për zgjedhje të përgjithshme. Nuk mund ta prezantojmë në opinion si formë zgjedhore”, ka thënë Hoti.
Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se roli i komisionit është që të rekomandohen ndryshimet dhe të procedohen në seancë, raporton “EO”.
“Rekomandimet dhe raportet ekzistojnë. Ne kemi rolin me materializuar rekomandimet në dispozita ligjore, Ligjin për zgjedhje të përgjithshme”, ka thënë ai.
Më tutje, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se duhet të ketë një debat parlamentar për të bërë një reformë të mirëfilltë.
“Nëse ne kemi në plan të punës të ne bisedojmë me organizata pse të mos kemi një debat parlamentar për të bërë një reformë të mirëfilltë. Varet se a do t’i bëjmë me ndryshime kushtetuese apo ligjore”, është shprehur Reçica.