Kërkohet ndryshimi i Ligjit për festat zyrtare, por mungon iniciativa
Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe një herë kanë kërkuar heqjen e Ditës së Evropës nga kalendari i festave zyrtare. Pavarësisht prej pretendimeve të tyre, ata ende nuk kanë marrë ndonjë iniciativë konkrete për ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare në vend.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, dje në Ditën e Evropës ka shkruar, në llogarinë e vet në “Facebook”, se Kosova nuk ka asnjë arsye që ta festojë këtë ditë.
“Pse duhet të festojmë sot?! Nuk ka as edhe një arsye të vetme që Kosova ta festojë Ditën e Evropës. Madje është paradoskale të festohet sot, kur ditë pushimi nuk kanë as vendet anëtare të Bashkimit Evropian e jo më Kosova, shtet i cili nuk e ka as statusin e kandidatit në BE”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra, duke shtuar se kjo festë duhet të hiqet nga kalendari i festave zyrtare.
“Ligji për festat zyrtare duhet të trajtohet dhe të largohet 9 maji si festë zyrtare. Nuk bëhemi më proevropianë nëse sot festojmë. Përkundrazi, duhet të punohet shumë më shumë për t’u afruar me shtetet e BE-së”, ka theksuar Deliu-Kodra.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka kundërshtuar një gjë të tillë.
“Hipokrizi në Ditën e Evropës. Ne bëhemi sikur jemi shumë të gëzuar me këtë ditë, saqë bëhemi më Papë se Papa dhe, ndryshe, nga gjithë dynjaja, e bëjmë edhe ditë pushimi, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në majë të gjuhës perspektivën evropiane të Kosovës, po ndryshe prej gjithë pjesës tjetër të kontinentit, veç qytetarët e saj ka lënë në ‘Geto’”, ka shkruar Nitaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa menaxheri i projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit të Kosovës, Artan Murati, ka vlerësuar se kjo datë vitin e ardhshëm nuk duhet të jetë ditë pushimi.
“Për ta bërë një hap drejt BE-së, vitin tjetër, 9 majin e kishim shënuar në punë dhe në shkollë, duke punuar e duke mos dalë prej rrjedhave me ditë të panevojshme pushimi. Shtetet e BE-së e shënojnë këtë ditë, e ashtu duhet edhe ne”, ka shkruar Murati në llogarinë e vet në “Facebook”.
Blerim Latifi, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka treguar se si Dita e Evropës ka mbetur festë zyrtare.
Ai ka thënë se Dita e Evropës në festë zyrtare është produkt i kohës së shpalljes së pavarësisë, e cila ishte kohë e euforisë, entuziazmit dhe naivitetit.
“Shndërrimi i Ditës së Evropës në ditë feste zyrtare në Kosovë është produkt i kohës së shpalljes së pavarësisë. Ajo ishte kohë e euforisë, entuziazmit dhe naivitetit. Me naivitet besonim se, meqë Kosova ishte bërë shtet, tani çdo gjë do të shkonte mirë dhe shpejt, përfshirë edhe integrimin në BE. Prandaj, pse të mos festonim. Por, ajo që kalon më shpejt, është vetë euforia. Vendin e saj e zë zhgënjimi, i cili vjen për të na dhënë leksionin se gjërat e mira nuk bëhen lehtë dhe shpejt, dhe se politika, sa është art i zgjidhjes së problemeve të shoqërisë, po aq di të bëhet edhe art i krijimit të tyre”, ka deklaruar Latifi.
Dita e Evropës është vetëm një nga njëmbëdhjetë festat zyrtare vjetore në Kosovë, sipas Ligjit për festat zyrtare, të cilat shënohen me ditë pushimi.
/Epoka e re/