Kërkohet nga drejtorët e komunës së Mitrovicës të përgatisin planet e punës
Bordi i Drejtorëve në Komunën e Mitrovicës ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, e cila është kryesuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka.
Shefi për Buxhet dhe Financa në Drejtorinë për Financa, Zenel Çitaku, ka prezantuar tabelat finale për buxhetin e vitit 2019 të cilat janë proceduar në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Ndërsa, drejtori për Auditim të Brendshëm, Nexhat Berani, në lidhje me shqyrtimin e planit të veprimit për implementimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2017, ka theksuar se drejtorët nga muaji shtator duhet t’ju kushtojnë rëndësi të hyrave vetjake dhe të merren me rekomandimet e auditorit të jashtëm dhe të brendshëm.
Kurse, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, ka njoftuar ekzekutivin për rishpalljen e ankandit publik për Qendrën Tregtare në Mitrovicë, duke theksuar se kushtet për aplikim janë të njëjta dhe se shpreson në ofertues seriozë të cilët i plotësojnë kriteret që kërkohen.
Në anën tjetër, drejtori për Inspekcion, Hysni Ahmeti, ka informuar të pranishmit për rrënimin e shtëpive të cilat janë afër Liqenit Akumulues, duke saktësuar se shtëpitë do të rrënohen më 7 shtator, sipas vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Po ashtu, drejtori Ahmeti ka informuar të pranishmit edhe për vizitat që u ka bërë 20 shkollave në Komunën e Mitrovicës, duke bërë me dije se vetëm gjashtë prej tyre i plotësojnë kushtet higjeno-sanitare, ndërsa 14 shkolla kanë mungesë të mjeteve.
Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, ka kërkuar nga drejtorët që të përgatisin planin e punës për katër muajt e ardhshëm.