Kërkohet nga KQZ-ja të ketë kujdes me votat e ardhura nga Serbia

25 tetor 2019 | 10:46

Ndonëse dhjetëra punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) kanë pasur reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia megjithatë, nën masa të shtuara të sigurisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka verifikuar këto vota.

Por njohësi i çështjeve zgjedhore dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të tregohet i kujdesshëm në raport me votat e ardhura nga Serbia.

Ai ka thënë se pa rezultatin e analizave dhe hetimeve të policisë nuk është dashur të verifikohen këto vota.

“Ka disa dilema në këtë drejtim po qe se është bërë analizë mjekësore e zyrtarëve të KQZ-së, se cili është konstatimi mjekësor, ka apo nuk ka helmime? Nëse veç ka konstatim të tillë, për shkaqe të sigurisë do të duhej të mos numërohen këto vota deri në ndryshimin e rrethanave të sigurisë. Është e çuditshme që me çdo kusht të numërohen fletëvotimet e tilla pa ndonjë siguri dhe me një rrezik për shëndetin e zyrtarëve. Pra, pa ndonjë siguri paraprake nuk duhet të hyhet në situatë të tillë, pastaj të shihet validiteti i fletëvotimit apo ekspertiza nëse janë vota të rregullta apo ka keqpërdorime apo gjera të tjera”, ka deklaruar Burjani.

Ai ka thënë se duhet të bëhet një vlerësim paraprak dhe nëse ka parregullsi duhet të hedhen poshtë votat e ardhura në zarfe nga Serbia.

Sipas Burjanit, vendimi i KQZ-së për pranimin ose jo të këtyre votave duhet të vijë si rezultat i nxjerrjes se një konstatimi përfundimtar.

“Nëse veç ka çështje të tilla ku fletëvotimet nuk janë të rregullta, duhet të hedhën poshtë dhe të shënohet në procesverbalet përfundimtare një raport i shkurtër me disa pika ku në mënyrë të qartë KQZ-ja tregon arsyet eventuale të pranimit të këtyre fletëvotimeve si të rregullta ose të parregullta. Kjo varet nga KQZ-ja, megjithatë mendoj se ky vendim duhet të vijë si rezultat i nxjerrjes se një konstatimi përfundimtar. Së pari duhet të konstatohen a janë fletëvotimet të vlefshme, së dyti nëse konstatohet se zarfet janë në gjendje të rregullt të mbyllur dhe pa emra atëherë të procedohen. Por nëse konstatohet se ka probleme edhe të natyrave të tjera, siç mund të jetë dëmtimi i fletëvotimeve, mungesa e qartësisë në fletëvotim, mospërputhje në FRP, atëherë duhet të hedhen poshtë”, është shprehur Burjani.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Blerim Vela, që po përcjell procesin e numërimit të…