Kërkohet nga qeveria t’i përkrahë gazetarët me nga 300 euro
Instituti i Medias i Kosovës ka mbajtur konferencë lidhur me masat e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur sektorin privat të bizneseve e që është duke u konsideruar diskriminuese ndaj mediave private të Kosovës.
Kryetari i Bordit të Institutit të Medias, Fazli Veliu, ka thënë se është e padrejtë që në pakon emergjente të mos përfshihen edhe mediat.
“Udhëheqësit e këtyre institucioneve që shkojnë në punë i kërkojnë mediat dhe kur kemi nevojë ne për ta ata neve nuk na përkrahin, sepse kriza që po shkakton Covid-19 ka prekur edhe mediat”.
Veliu ka thënë se nëse qeveria nuk i përkrah mediat, atëherë rrezikohet mbyllja e 50 radiove dhe TV regjionale, raporton “EO”.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që t’i përkrah gazetarët me nga 300 euro për 3 muaj si dhe pronarët e mediave me nga 400 euro.
Ndërsa anëtari i Bordit të Institutit të Medies, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se mediet duhet të lirohen nga taksa vjetore për sivjet. Ai ka thënë se mediat e huaja vijnë në Kosovë pa licencë dhe nuk paguajnë taksë.
Në anën tjetër, Agron Krasniqi, nënkryetar i këtij bordi, ka thënë se kjo shumë nuk do ta ngarkonte shumë buxhetin e Kosovës.
“Nuk është shumë e madhe që do të ngarkonte buxhetin e Kosovës sepse po bëhet fjalë për 400 punëtorë. Ne jemi të interesuar të mbrojtja e medieve sepse janë jashtë fokusit të Qeverisë, është shprehur Krasniqi.