Kërkohet paraburgim ndaj dy zyrtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktim të masës së paraburgimit ndaj dy zyrtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Një gjë e tillë është kërkuar për shkak të dyshimit të kryerjes se veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 të KPRK-së, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të KPRK-së dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, nga neni 377 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
L.K dhe M.B, një ditë më parë u shoqëruan për intervistim ndërsa dhe Prokuroria Themelore më vonë iu kishte caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
Arrestimi i këtyre dy zyrtarëve ndërlidhet me operacionin policor “Subvencioni 2021”, ku më herët janë arrestuar edhe disa zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, nën dyshimet për keqpërdorim me subvencione.