Kërkohet paraburgim për të pandehurin që goditi me veturë për vdekje këmbësorin
Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Pejës, caktimin e paraburgimit për të pandehurin E.B, me dyshimin se i njëjti kishte për të kryer veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të KPRK, dhe veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, nga neni 382, paragrafi 3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore e Pejës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit E.B., për shkak se i njëjti me datën 13 prill të këtij vitit, rreth orës 01:30, në rrugën “Selman Lajçi” në Pejë, shkel ligjin për rregullat e trafikut, duke i shkaktuar vdekjen të ndjerit A.C, në atë mënyrë, gjersa i pandehuri E.B., ishte me veturën e tij duke qarkulluar në rrugën e lartcekur, nuk përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe i njëjtit me pjesën e përparme të veturës e godet këmbësorin A.C, duke e hedhur katër metra jashtë rrugës, i cili nga goditjet e marra ndërron jetë, ndërsa i pandehuri E.B., largohet duke mos u ndalur fare në vendin e ngjarjes.
Seanca dëgjimore për caktimin e kësaj mase pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake.
/Epoka e re/