Kërkohet përkrahje për promovimin e të drejtave të malazezëve në Kosovë
Përfaqësuesit e Sekretariatit të Këshillit Konsultativ për Komunitete kanë pritur në një takim miqësor drejtorin për diasporë në Qeverinë e Malit të Zi, Predrag Mitroviq, ambasadorin Ferhat Dinosha dhe Skender Šarkinović, sekretar i parë pranë ambasadës së Malit të Zi në Kosovë.
Sekretarja e Këshillit Konsultativ për Komunitete, Nafiye Gaş, ka njoftuar mysafirët për mandatin e këtij këshilli, bazën ligjore, aktivitetet e zhvilluara dhe ato të planifikuara, etj.
Temë e veçantë e këtij takimi ishte përfaqësimi i komunitetit malazez në këtë këshill, me ç’rast Gaşi i ka njoftuar të pranishmit me përbërjen e këtij këshilli.
“Roli i dy përfaqësuesve të bashkësisë malazeze znj. Biserka Djurdjeviq dhe z. Lazar Raduloviq është konstruktiv e bashkëpunues dhe japin vazhdimisht kontributin e tyre shumë të çmuar në Grupin punues për çështje të punësimit, ku z. Raduloviq është kryesues dhe znj. Djurdjevic si anëtare në Grupin për çështje të gjuhëve”, ka thënë ajo.
Ndërsa, drejtori për diasporë në Qeverinë e Malit të Zi, Predrag Mitroviq, ka falënderuar Sekretariatin e Këshillit Konsultativ për Komunitete për mikpritjen dhe për mbështetjen që po e japin edhe institucionet e tjera të Kosovës për komunitetin malazez.
Në anën tjetër, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka kërkuar përkrahje në promovimin e të drejtave të malazezëve, përfaqësimi i tyre në institucione publike dhe shoqërore në Kosovë.
Në këtë takim është diskutuar edhe për iniciativën institucionale të mëhershme që komunitetit malazez të bëhet kategori kushtetuese.
Të pranishmit janë pajtuar që të vazhdohet me bashkëpunimin institucional dhe shkëmbimin e përvojave nëpërmjet vizitave për të mirën e të gjitha komuniteteve dhe shteteve tona mike.
/Epoka e re/