Kërkohet përmbajtje nga premtimet elektorale karshi agjendës ekonomike
Përfaqësues të odave dhe asociacioneve ekonomike, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Skender Krasniqi nga Oda e Afarizmit të Kosovës, si dhe njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, tanimë kur jemi në prag të shpërbërjes së qeverisë Haradinaj në detyrë, kanë kërkuar nga spektri politik që të përmbahen nga premtimet “megalomane” për fushatë parazgjedhore e që, sipas tyre, shkojnë në kurriz të ngarkesës financiare për bizneset, por edhe punëtorët e sektorit privat. Sipas tyre, spektri politik duhet të jetë i matur dhe mos të premtojë rritje pagash në sektorin publik, rritje të punësimit, tërheqje të investimeve të huaja, ndalje të ikjes së trurit “brain drain”, si dhe lëvizje të lirë të qytetarëve dhe bizneseve.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e pagave dhe rritja e punësimit s’do të duhej që të ishin në agjendën e premtimeve elektorale. “Në çdo shtet normal në botë prioritet i tyre është rritja e punësimit, e që më pas do të përcillej edhe me rritjen e pagave, kurse tek ne prioritet është rritja e pagave në sektorin shtetëror. Shihni çdo vit në tregun e punës hyjnë 30 mijë qytetarë, kurse në vitin e kaluar, karshi vitit 2017, kishim 10 mijë vende më pak të punës. Andaj, kur bëhet rritja e pagave duhet t’i dallojmë në bazë të viteve të shkollimit, e jo të marrë pagë të njëjtë si ai me shkollë të mesme si ai me fakultet. Rritja e pagave çdoherë është premtuar dhe bërë në sektorin publik, e që barrën për këtë e kanë vënë te bizneset dhe punëtorët e sektorit privat. Do të duhej të ndalej kjo praktikë”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se s’mund të thirrën edhe në respektim të Ligjit të Punës, pasi ka mos[përputhje në mes të orëve të punës. “Respektimi i Ligjit të Punës që në letër shënon 40 orë pune në javë, në institucionet publike punohet vetëm 35 orë, prandaj duhet të jenë të saktë edhe në këtë drejtim. Po ashtu, kemi shumë udhëzime administrative që s’u përfillën e që do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik. Zhvillimi ekonomik, zhvillimi i turizmit dhe prodhimtaria çdoherë ishin tema, por vetëm deklarata gojore”, u shpreh Krasniqi.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukqi, ka apeluar te lidershipi që të jetë i matur dhe mos të japë premtime sa për vota. Ai ka kërkuar përmbajtje nga premtimet të cilat janë të parealizueshme dhe pa një analizë të mirëfilltë e që, sipas tij, e rëndojnë edhe sektorin privat. “Assesi mos të ketë premtime për hapje të vendeve të punës kur s’ka qartësi se si mund të hapen. Mos të ketë premtime për rritje pagash, sidomos në sektorin publik dhe premtime për tërheqje të investimeve, që shpesh aludojnë në mrekulli. Në kohë fushatash ka eufori dhe shpesh s’përfillet legjislativi i Kosovës”, u shpreh ai. Sipas Rukqit, ideale do të ishte që spektri politik të dalë në fushatë elektorale me një marrëveshje politike karshi agjendës ekonomike. “Ideale do të ishte të kishte një pakt të partive politike, që mos të bëjnë asnjë premtim në fushatë zgjedhore gjatë punës së tyre në qeveri dhe kuvend që s’ka rezultate dhe dëmton qëndrueshmërinë financiare të shtetit, por edhe realisht bëhen edhe pengesë për zhvillimin e sektorit privat”, u shpreh Rukqi.
Po ashtu, i së njëjtës linjë të apelit është edhe njohësi i çështjeve të biznesit në vend, Lulzim Syla. “Apeloj që mos të dalim me premtime të rritjes së punësimit me shifra për të cilat s’kanë asnjë plan konkret, e që mbi bazë të punësimit do të ngrehej edhe zhvillimi ekonomik. Po ashtu, as rritja e pagave s’do të duhej të ishte premtim i programit të tyre, duke përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave që s’do të duhej hiç ta përmendnin, pasi s’kishin gatishmërinë më të vogël për të dhënë një datë të saktë. Po ashtu, mos të thirrën as në cilësinë në arsim që, si rrjedhojë, ka çuar edhe në falimentime, pasi në momentin që s’ke njerëz të edukimit të mirëfilltë, ke konkurrencë të ashpër, e që mandej të dërgon edhe në falimentim”, u shpreh Syla.
Edhe qytetari Artur Krasniqi, i cili është i punësuar në sektorin privat që nga viti 2010, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se punëtorët e sektorit privat duhet të heqin dorë nga nevojat elementare që shteti t’i sigurojë pagat për punëtorët e sektorit publik e që, sipas tij, kjo s’mund të jetë zhvillim, por mjerim. “Tanimë u bënë hite premtimet e njëjta, por vendi zhvillohet kur ka infrastrukturë të mirëfilltë ligjore. Andaj, vetëm punësimet në sektorin publik s’janë zhvillim, por mjerim për shoqërinë. Rritja e pagave vetëm në sektorin publik pa dyshim se ndikon në mirëqenien e punëtorëve të sektorit privat dhe ne duhet të sakrifikojmë shumë për nevojat tona elementare, e mos t’i përmendim ato të luksit, në mënyrë që atyre shteti t’ua sigurojë pagat, apo rritjen e tyre. Rritja e mëtutjeshme e pagave të tyre s’mund të mbrohet apo arsyetohet nga asnjë qeveri”, u shpreh Krasniqi.
(Albulena S. MAVRAJ)