Kërkohet pezullimi i udhëzimit administrativ për raportimet financiare vjetore të mikrondërmarrjeve
Udhëzimi Administrativ nr. 01/2020 për raportimet financiare vjetore të mikrondërmarrjeve, i nxjerr nga Këshilli Kombëtar për Raportim Financiar (KKRF), është kërkuar që të pezullohet për shkak të rrethanave pandemike dhe kostos shtesë për të bërit biznes në Kosovë. Sipas përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë, Arian Zeka, Berat Rukiqi, si dhe Skender Krasniqi, ky udhëzim, përpos që është barrë shtesë për bizneset, sidomos tani në kohë pandemie, është nxjerrë pa konsultim paraprak të partneritetit publiko-privat. Ata kanë kërkuar shterjen e zbatueshmërisë së këtij udhëzimi në bazë të rrethanave pandemike ose mbulimin e kostos së auditimit nga buxheti shtetëror
Albulena S. MAVRAJ
Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë dhe njohësit e çështjeve ekonomike e kanë konsideruar barrë financiare Udhëzimin Administrativ nr. 01/2020 për raportimet financiare vjetore të mikrondërmarrjeve.
Ky udhëzim është nxjerrë nga Këshilli Kombëtar për Raportim Financiar (KKRF) më 10 shkurt të këtij viti dhe është obligues për pasqyrat financiare të periudhës kontabël 2019 e tutje. Sipas nenit 2, pika 1, “dispozitat e këtij udhëzimi administrativ janë të obligueshme për shoqëritë tregtare të regjistruara në ARB dhe të klasifikuara si mikrondërmarrje sipas nenit 5, paragrafi 2, i Ligjit NR.06/ L-032 për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës dhe janë të obliguara sipas Ligjit Nr. 06/L-032 për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim t’i përgatisin pasqyrat financiare për qëllime të përgjithshme”.
Lidhur me këtë, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo odë ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar për Raportim Financiar shtyrjen e zbatimit të dispozitave që kërkojnë nënshkrimin e pasqyrave nga kontabilistët e certifikuar pasi, sipas tij, një dispozitë e tillë do ta rriste ngarkesën financiare për bizneset e vogla në Kosovë. “Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar në janar të këtij viti nga Këshilli Kombëtar për Raportim Financiar (KKRF) shtyrjen e zbatimit të dispozitave që kërkojnë nënshkrimin e pasqyrave nga kontabilistët e certifikuar meqë një dispozitë e tillë do ta rriste ngarkesën financiare për bizneset e vogla në Kosovë, dispozitë kjo që buron nga Ligji për Raportim Financiar. Aq më tepër kur tash e disa muaj sektori privat po ballafaqohet me vështirësi të shumta si pasojë e kufizimit të aktivitetit ekonomik me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19. Besoj fuqishëm që KKRF-ja do t’i ketë në konsideratë rrethanat e reja të krijuara pas shpërthimit të pandemisë dhe do t’i rekomandojë te Ministria e Financave që t’i iniciojë ndryshimet e nevojshme ligjore”, ka thënë Zeka. Sipas tij, bazuar në kapacitetet financiare të ndërmarrjeve të vogla, kërkesa për auditimin e pavarur të pasqyrave financiare nga një auditor i certifikuar do ta rrisë barrën financiare për këto ndërmarrje”. Duke i ditur kapacitetet financiare të ndërmarrjeve të vogla, kërkesa për auditimin e pavarur të pasqyrave financiare nga një auditor i certifikuar do ta rrisë barrën financiare për këto ndërmarrje”, është shprehur ai. Zeka ka thënë se kërkesat për certifikime profesionale në këtë sektor në asnjë mënyrë nuk zhvlerësojnë edukimin universitar të profesionistëve të kësaj fushe. “Kosova në përgjithësi ka legjislacion të mirë që rregullon fushën e raportimit financiar, kontabilitetit dhe auditimit dhe i cili promovon standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, ndërsa kërkesat për certifikime profesionale në këtë sektor në asnjë mënyrë nuk zhvlerësojnë edukimin universitar të profesionistëve të kësaj fushe”, ka deklaruar drejtori i OEAK-ut.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike i Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se ky udhëzim përbën barrë për bizneset, e sidomos tani në kohë pandemie. Ai ka thënë se në këtë situatë ose duhet të shtyhet zbatimi i udhëzimit ose shërbimi të paguhet nga buxheti i shtetit. “Në përgjithësi në kemi kërkuar që të rritet cilësia e raportimeve financiare. Por, tani në pandemi kjo krijon kosto shtesë për bizneset, sidomos bizneset e vogla e kanë të pamundur ta mbulojnë. Në këtë rast ose duhet të shtyhet zbatimi i udhëzimit ose shërbimi të paguhet nga buxheti i shtetit”, ka thënë Rukiqi.
Ndërsa drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skender Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky udhëzim gërsheton edhe një barrë shtesë për bizneset dhe se një udhëzim i tillë nuk është i domosdoshëm. “Ky udhëzim na ngarkon me kosto shtesë dhe shteti duhet të mendojë për humbjet që na ka shkaktuar pandemia dhe këtu kemi të bëjmë me krijim të të hyrave për disa persona. Ne s’jemi assesi kundër çdo auditimi, mirëpo kjo kosto është ngarkesë me anë të së cilës shteti u ka krijuar barrë bizneseve. Nëse auditorët certifikohen nga shteti pse duhet të na vënë këtë barrë shtesë, pra obligim që nuk është i domosdoshëm”, është shprehur Krasniqi. Sipas tij, mospërfillja e kërkesave dhe rekomandimeve nga spektri biznesor drejtuar Qeverisë së Kosovës është shqetësuese. “Ne kemi dërguar shumë kërkesa në Qeveri dhe Kuvend sa i përket ambientit biznesor, po ashtu edhe për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike por, fatkeqësisht, kërkesat tona s’po përfillen”, ka thënë ai.
Më tutje, njohësi i çështjeve ekonomike dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, i cili është edhe sekretar gjeneral në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, ka thënë se bizneseve në Kosovë është duke iu rënduar aktiviteti i tyre dhe se ato janë bërë viktimë e udhëzimeve administrative. “Është një dukuri mjaft negative që po e përcjell të bërit biznes në Kosovë, pasi bizneset po bien viktima të udhëzimeve të ndryshimeve administrative, të cilat po përpilohen dhe po dizajnohen nga njerëz të punësuar në institucionet shtetërore të cilët paguhen nga tatimpaguesit kosovarë e të cilët po punojnë dhe po krijojnë favore për grupe të caktuara të interesit”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se në kohë pandemie, në vend se të gjenden mekanizma për ta lehtësuar të bërit biznes në Kosovë, është duke ndodhur e kundërta. “Një barrierë e tillë nga ky udhëzim ka kaluar në heshtje dhe pa asnjë debat publiko-privat dhe vetëm me rekomandime të grupeve të caktuara të interesit. Edhe Udhëzimi Administrativ nr. 01/2020 për raportimet financiare vjetore të mikrondërmarrjeve i obligon bizneset që të paguajnë një sasi bukur të madhe parash e që janë tri kategori që fillojnë me 500, 1 000 dhe 3 000 euro, që është vërtet një barrë e papërballueshme për sektorin privat”, është shprehur Gërxhaliu.
I pyetur për ndikimin e këtij udhëzimi në luftimin e informalitetit, Gërxhaliu është përgjigjur se në Kosovë përdoren pretekste të ndryshme vetëm për ta rënduar të bërit biznes dhe favorizuar interesa të caktuara. “Në Kosovë përdoren pretekste të ndryshme për përfitime. Në qoftë se kemi një justifikim të tillë dhe kemi nënshkrimin e auditorit të akredituar pse duhet gjithsesi të shkohet dhe të kontrollohet edhe një herë. Është e rrugës të jenë çmime më të ulëta, e jo të paguhen deri në 3 000 euro, kur mund të jetë një kosto më e ulët. Prandaj, konsideroj se është një barrë. Ministria e Financave dhe kabineti qeveritar duhet ta shqyrtojmë me urgjencë këtë udhëzim”, u shpreh ai.
Më tutje, Alban Hashani nga Instituti “Riinvest” ka thënë se përpjekjet për ta përmirësuar raportimin financiar janë të mirëseardhura por, sipas tij, duhet rritur konkurrenca në sektorin e auditimit gjë që do ta ulte fuqinë tregtare të auditorëve individualë, rrjedhimisht edhe çmimin. “Mendoj se përpjekjet për ta përmirësuar raportimin financiar janë të mirëseardhura. Në ketë kuadër edhe udhëzimi administrativ i cili mund t’i qartësojë hapat se si duhet të zbatohet legjislacioni për raportim financiar është i mirëseardhur, për shkak se është një treg i rregulluar, autoritetet që sigurojnë konkurrencë duhet të sigurohen se parimet e ekonomisë së tregut të lirë nuk po cenohen. Megjithatë, duhet rritur edhe konkurrenca në sektorin e auditimit gjë që do ta ulte fuqinë tregtare të auditorëve individualë dhe, për pasojë, edhe çmimin”, ka thënë Hashani. Po ashtu, ai ka thënë se trajnimet shtesë në këto profesione janë të domosdoshme. “Jo detyrimisht vihet në pikëpyetje shkollimi universitar. Gjithkund nëpër botë profesioni i auditorit është profesion i rregulluar; ku hyrja në këtë profesion është e kushtëzuar me certifikim. Për rrjedhojë, trajnimet shtesë në këto profesione janë të domosdoshme. Atë çka mund të bëjnë universitetet është qe të bashkëpunojnë me institucione që licencojnë auditorët/kontabilistët që të harmonizohen një pjesë e provimeve të cilat mund të njihen nga këto institucione. Kjo do ta lehtësonte punën e secilës palë”, ka deklaruar ai. Lidhur me këtë çështje, gazeta “Epoka e re” më 14 gusht ka dërguar disa pyetje te Ministria e Financave për të marrë përgjigje nga Këshilli Kombëtar për Raportim Financiar, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.