Kërkohet privatësi gjatë rivarrimit të Liridona Ademajt
Nesër (hënë) pritet të zhvarroset dhe rivarroset Liridona Ademaj në fshatin e saj të lindjes.
Ndërsa, Prokuroria bënë thirrje të respektohet e drejta e privatësisë gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës me kërkesë të familjarëve të Liridonës.
Kërkesa e Hajdar Ademaj dhe Zade Ademaj, prindërit e Lirdonës, që i kanë bërë Prokurorisë që t’ua mundësoj zhvarrosjen dhe rivarrosjen e trupit të së bijës është aprovuar.
“Mund t’iu konfirmojmë se prokurorja e rastit ka aprovuar kërkesën e familjarëve të së ndjerës për zhvarrosjen dhe rivarrosjen e trupit në fshatin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.
Por Prokuroria bën apel që të tregohet konsideratë karshi familjarëve të viktimës dhe të respektohet e drejta e privatësisë gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës, pasi sipas Prokurorisë kjo ka qenë kërkesë e familjes së viktimës drejtuar organeve kompetente.
“Gjithashtu, iu bëjmë apel që të tregoni konsideratë karshi familjarëve të viktimës, lidhur me shkrimet e publikuara ndaj kësaj çështjeje, kjo pasi ka qenë kërkesë e vetë familjarëve të viktimës tek organet e hetuesisë, meqenëse në këto çaste janë duke përjetuar momente të vështira dhe kërkojnë të respektohet e drejta e privatësisë edhe gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës”, thuhet në njoftim.