Kërkohet që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale

16 shtator 2020 | 16:35

Kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve, Bashkim Osmani së bashku me ekzekutivin e Klubit të Prodhuesve, është takuar të mërkurën me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Arsyeja e takimit ishte diskutimi mbi gjendjen e tanishme të sektorit të prodhimit dhe avokimi për ndërmarrjen e disa masave të cilat do të ndikonin drejtpërdrejtë në përmirësimin e kësaj gjendje.

Kryetari i Bordit të Klubit, Bashkim Osmani, ka falënderuar kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe ka shprehur brengat e tij për sfidat me të cilat po përballen prodhuesit gjatë kohës së pandemisë, por edhe kërkesat e tyre për rimëkëmbje nga kjo gjendje.

Sipas tij është tejet e domosdoshme miratimi i menjëhershëm i pakos emergjente të rimëkëmbjes, e cila do të ndihmonte shumë prodhuesit vendorë, ku shumë prej tyre janë në prag të mbylljes së veprimtarisë. “Prandaj është koha e fundit që kjo pako të miratohet dhe të filloi implementimi i saj, duke krijuar lehtësirat e parapara për ekonominë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Osmani ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit që ta mbështes edhe Rezolutën e Prodhimit, ku Klubi i Prodhuesve me anë të kësaj rezolute kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale, ku Qeveria e Kosovës do të duhej të përkrahë ndërmarrjet prodhuese, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre.

“Po ashtu, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës do të duhej që rimëkëmbjen ekonomike të vendit ta bazojnë në fuqizimin e industrisë së prodhimit, si zgjidhjen e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve, Bashkim Osmani.

Gjatë takim me kryetaren Vjosa Osmani u përmend edhe iniciativa për prokurim publik, ku Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon nga institucionet shtetërore dhe ato publike që në procedurat e tenderimit këto institucione të fusin si kriter edhe prodhimin vendor, gjë që do të mbështeste prodhuesit gjatë kësaj krize dhe do të ndihmonte në rimëkëmbjen e tyre.

Kyetarja Osmani, i falënderoi përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve për vizitën dhe shprehu gatishmërinë që të përkrahë këtë rezolutë por edhe iniciativat tjera, duke u qëndruar pranë prodhuesve.

(A.M / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata e David Alaba është një nga çështjet që duhet…