Kërkohet që Këshilli i Evropës ta pranojë Kosovën në vendin e Rusisë

16 maj 2022 | 16:16

Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) u ka bërë thirrje të hënën ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës (KE) që ta pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm, dhe ta dërgojnë në Asamblenë Parlamentare (PACE).

Në një  deklaratë të titulluar: “Sërish 47? Rusia jashtë, Kosova brenda”, drejtuesit e ESI, Gerald Knaus dhe Kristof Bender, kanë kërkuar që vendimi të merret në takimin e Torinos në Itali më 20 maj.

Në të njëjtën deklaratë është rikujtuar se për dërgimin e Kosovës në PACE mjaftojnë dy të tretat e votave, që i bie 31 nga 46 vende anëtare të KE. Kjo derisa 34 prej tyre e kanë njohur Kosovën. Si e tillë përmendet edhe Italia që tani është kryesuese e Komitetit të Ministrave.

ESI-ja ka vlerësuar se Kosova, pavarësia e së cilës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është rrëfimi i kundërt i Rusisë që së fundi u përjashtua nga KE-ja.

“Ndryshe nga Rusia, Kosova ka shënuar bartje paqësore të pushtetit nëpër zgjedhje të lira dhe fer. Ndryshe nga Rusia, Kosova e pavarur nuk ka pasur asnjëherë të burgosur politikë. Ndryshe nga Rusia, Kosova asnjëherë nuk ka nxitur luftëra”, është thënë në deklaratë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri argjentinas i Atletico Madridit, Diego Pablo Simeone, ka qenë…