Kërkohet që Kosova t’i shtojë përpjekjet për digjitalizimin e shërbimeve online

14 mars 2025 | 11:22

Është mbajtur tryezë konsultative mbi Rekomandimet e Paraqitura në Rezolutë për Digjitalizimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Ballkanin Perëndimor, e cila derivon nga takimi i institucioneve e pavarura dhe autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

Aty u përmenden rezultatet e këtij, me ç’rast u theksua nevoja për një qasje rajonale, të unifikuar dhe gjithëpërfshirëse në hartimin e kuadrit të duhur ligjor, për të siguruar të gjithë qytetarët të përfitojnë dhe përdorin shërbime digjitale të sigurta dhe të qasshme.

Avokati i Popullit, Naim Çelaj, ka thënë se analiza e gjendjes aktuale e digjitalizimit të shërbimeve të administratës publike, nxjerr në pah nevojën për rritjen e fokusit strategjik rajonal në avancimin e përpjekjeve për digjitalizimin e shërbimeve online.

“Ka qenë një aktivitet shumë i rëndësishëm ku është folur për digjitalizimin e administratës publike dhe nevojën që e kanë shtetet për të ndërmarrë masa me qëllim që të jenë të përgatitur për një të ardhme sa i përket zhvillimit të teknologjisë informative. Aty janë paraqitur përvojat e shteteve të rajonit dhe ka qenë interes i imi si Avokat i Popullit se si reflektojnë apo si i qasen institucionet e drejtave të njeriut. Kemi parë që Shqipëria kishte bërë një hap para në drejtim të krijimit të strategjive për digjitalizim por edhe të vet Avokatit të Popullit, e cila kishte dalë me një hetim të plotë lidhur me ndikimin që mund të ketë digjitalizimi në cenimin e të të drejtave të njeriut, që padyshim mund të jetë në disa fusha dhe u konstatua se fusha më e prekur mund të jetë ajo mbrojtja e të dhënave dhe privatësia si dy komponentë të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Natyrisht përveç kësaj u pa që përmes zhvillimit të digjitalizimit mund të preket edhe pjesa e diskriminimit, pra qytetarët mund të ndihen të diskriminuar, sidomos në çështje të konkursit për punësim”, tha Çelaj.

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku tha procesi i digjitalizimit në Kosovë dhe në çdo vend, është një proces që ka nisur tashmë dhe nuk do të përfundojë shpejt.

Madje, sipas saj, nuk do të përfundoj ndoshta edhe pa pasoja.

“Nëse ne si ligjvënës nuk do të vendosim rregulla të cilat duhet të zbatohen për t’i mbrojtur pikërisht të drejtat e njeriut”, tha ajo.

Sogojeva-Dërmaku tha se digjitalizimi do të bëhet, por sfida më e madhe është pikërisht ndikimi i Inteligjencës Artificiale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel ka zbuluar listën me lojtarët…