Kërkohet që Kuvendi të shtojë dinamikën e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar kryetarët e komisioneve parlamentare, për të diskutuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësuesit e NDI-it, e cila së bashku me USAID-in e ka mbështetur Kuvendin në hartimin e doracakut për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Kryetari Konjufca tha se përveç miratimit të ligjeve edhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre është shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit inkurajoi kryetarët e komisioneve parlamentare që të hartojnë edhe miratojnë projektligje sa më përmbajtësore, por njëkohësisht të fokusohen edhe në aktivitetet mbikëqyrëse të Kuvendit.
Kryetari Konjufca, po ashtu, kërkoi nga kryetarët e komisioneve parlamentare që raportet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve t’i publikojnë me kohë.
Kreu i Kuvendit falënderoi USAID-in dhe NDI-në për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar se doracaku për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve do ta plotësojë boshllëkun sa i përket metodologjisë së procesit mbikëqyrës që ka ekzistuar në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësuesi i NDI-së, Valon Kurhasani, tha se mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve është sfidë jo vetëm për Kuvendin, por edhe për kuvendet e shteteve të tjera.
Kurhasani theksoi se gjatë hartimit të doracakut janë marrë praktikat e disa vendeve evropiane dhe se pas një periudhe kohore të pilotimi së bashku me Kuvendin do të vlerësohet nëse është e nevojshme që të plotësohet apo jo.
Gjatë diskutimit, kryetarët e komisioneve parlamentare folën për përvojat dhe sfidat e procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në Kosovë.
Doracaku i hartuar me mbështetjen USAID-it dhe NDI-së, u vlerësua lartë edhe nga kryetarët e komisioneve parlamentare.
Ishte konkluzion i përbashkët që Kuvendi duhet të shtojë dinamikën e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në Kosovë.