Kërkohet që nënat e të pagjeturve të përfshihen në bisedime me Serbinë
Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nenave”, Nysrete Kumnova, në një konferencë për medie, ka kërkuar që të përfshihen në delegacionin e bisedimeve me Serbinë.
“Kërkoj me ngulm që në delegacionin e bisedimeve të jetë njëra nga nënat që me dëshmi e fakte, t’ua dokumentojmë delegacionit serb, krimet e bëra mbi shqiptarët. Heshtja nuk është përgjigje, prandaj sot jam këtu që t’u them se nëse ju e keni harruar luftën dhe humbjet në njerëz, ne nuk mund ta harrojmë, pasi çdo ditë për 21 vite me radhë, na mungojnë në sofrat tona”, ka thënë Kumnova.
Kumnova ka përmendur edhe deklaratën e Daçiqit, duke kërkuar që të mos mbyllen “bisedimet me Serbinë pa kthimin e trupave të personave të pagjetur”.
Sipas saj, kjo çështje duhet të jetë prioritet i shtetit të Kosovës dhe jo vetëm i familjarëve të të pagjeturve.
“Të mos mbyllen bisedimet me Serbinë ka kërkuar falje Serbia zyrtare për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët dihen me emra dhe mbiemra dhe ata duhet të gjykohen dhe dënohen për veprat e tyre kriminale”.
“I bëj thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, kryekuvendares Vjosa Osmani, kryeministrit Avdullah Hoti, që sa më parë të kushtëzojnë bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe ta vendosin në radhë të parë çështjen e personave të pagjetur, zbardhjen e fatit të tyre dhe kthimin e eshtrave në Kosovë”, është shprehur Kumonva.