Kërkohet që partitë politike t’i publikojnë financat
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë mbajtur panelin diskutues me temë: “Sfidat e Financimit të Subjekteve Politike: Ku qëndron Kosova?”, i cili kishte për qëllim të vë në pah mangësitë dhe sfidat kryesore në kuadër të sistemit të financimit të subjekteve politike, si dhe të diskutoj rreth kornizës ligjore që rregullon këtë fushë.
Duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës ka aprovuar koncept-dokumentin për financimin e subjekteve politike të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ky panel diskutues ka pasur për qëllim të diskutojë dhe analizojë modelet më efikase të procesit të auditimit të financave të subjekteve politike duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe ato rajonale.
Për më tepër, në këtë diskutim kujdes të veçantë i është kushtuar transparencës, kontrollit të brendshëm, si dhe nevojës për një mekanizëm të pavarur të monitorimit të financimit të subjekteve politike.
Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se asnjë parti politike nuk i ka publikuar raportet financiare. Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar që me ligj të përfshihet publikimi i raporteve për financa në mënyrë që të ngritët transparenca.
Ndërsa Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financiare, ka thënë se janë në një fazë ku Qeveria e Kosovës ka draftuar një koncept dokument që ka kontradiktë.
“Cili është modaliteti më i mirë? Modaliteti aktual nuk është më i miri. Zgjidhja më e mirë do të ishte tek ligji i zgjedhjeve të përgjithshme brenda KQZ-së”, ka thënë Selmanaj.
Në anën tjetër, Miradije Mavriqi nga KQZ-ja, ka thënë se nuk mund t’i akuzojnë partitë politike se nuk po i publikojnë raportet e shpenzimeve në KQZ.