Kërkohet që personave me nevoja të veçanta t’iu sigurohet transporti
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur dëgjim publik për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Përfaqësuesi i personave me nevoja të veçanta, Gentrit Zeqiri, ka kërkuar që t’iu sigurohet transporti atyre që ai i përfaqëson, duke marrë parasysh vështirësitë që i hasin.
Ai këtë kërkesë e ka bërë në dëgjimin publik për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik, i mbajtur nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Në këtë dëgjim publik janë dhënë vërejtje dhe komente për të punuar drejt një ligji më funksional.
Kryetari i këtij komisioni, Valon Ramadani, ka thënë se janë në procedurë për amandamentimin e këtij ligji.
Ndërsa Enver Bajqinca, përfaqësues nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka thënë se kanë status të institucionit të pavarur për të kryer funksionin e saj.
Në anën tjetër kryesuesi i burimeve njerëzore, ka kërkuar që kategoria e zyrtarëve publikë të përjashtohet nga Ligji për zyrtarët publikë.
Kurse deputeti i PDK-së, Njazi Isaku, ka thënë se vërejtjet janë të bazuara dhe do t’i shqyrtojnë tutje, ku është vendosur që takimi i radhës të mbahet të martën e ardhshme. /EO