Kërkohet që reforma zgjedhore të ndodhë sa më shpejt
Njohësit e proceseve zgjedhore kanë ftuar subjektet politike që ta përshpejtojnë reformën zgjedhore të rekomanduar edhe nga institucionet ndërkombëtare.
sh-anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Fadil Maloku dhe Blerim Burjani, kanë përshëndetur iniciativën e partitive politike parlamentare për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, me anë të së cilës kanë shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për ta përmirësuar dhe forcuar procesin zgjedhor.
Maloku ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sistemi i tanishëm zgjedhor është bërë pengesë serioze për emancipimin tonë të mëtejshëm sociopolitik.
“Natyrisht se është pozitive kjo iniciativë edhe për faktin se sistemi i tanishëm zgjedhor po shihet dukshëm që është bërë pengesë serioze për emancipimin tonë të mëtejshëm sociopolitik. Them kështu edhe për shkakun se ky sistem (i trashëguar dhe i imponuar nga ish-administrata e UNMIK-ut) dosido u bë një ‘këmishë’ e ngushtë për të identifikuar, fuqizuar dhe faktorizuar subjekte meritokratike në skenën aktuale politike kosovare”, ka thënë Maloku.
Ai ka treguar se çka duhet të përfshihet në reformën zgjedhore në mënyrë që të kemi një sistem me të drejtë zgjedhor.
“Zonat zgjedhore duhet të maksimalizohen, sepse s’ka kurrfarë kuptimi që deputetët të mos kenë zonën e tyre zgjedhore, zonë kjo që dosido i ‘disiplinon’ dukshëm ata kur janë në pyetje llogaridhënia, përgjegjësia dhe transparenca në qëndrime publike. Po ashtu, reforma, në fakt, do të duhej ta përfshijë reduktimin e rolit të liderit (që aktualisht i ngjason një diktatori e autoriteti të padiskutueshëm që është në kundërshtim me demokratizimin e brendshëm), të cilit, në rastin tonë, i mundëson të jetë i përjetshëm, qe prapë është një absurd i llojit të vet”, ka thënë Maloku.
Edhe ish-anëtari tjetër i KQZ-së, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se reforma zgjedhore duhet ta përfshijë edhe depolitizimin e këtij institucioni të pavarur.
Sipas tij, formula aktuale e përfaqësimit të partive politike në KQZ nuk është adekuate. “Duhet patjetër të shkohet në depozitim të këtij organi. Edhe në të ardhmen ky institucion me formulën 2+2+2 që është bërë nga presidenti i vendit e ka bllokuar përfundimisht KQZ-në. Sepse edhe në të ardhmen çdo vendim që ka të bëjë me dy të tretat, KQZ-ja do të jetë organ i bllokuar”, ka thënë Burjani.
Ai ka bërë me dije se KQZ-ja si institucion i cili organizon zgjedhjet në Kosovë duhet të jetë trup e pavarur dhe profesionale. “KQZ-ja si organ teknik-profesional nuk duhet të jetë e nxitur nga çështje politike, aq më pak në situata të tilla kur është e rëndësishme për shtetin tonë dhe kur ka të bëjë me shprehjen e vullnetit të qytetarëve dhe implementimin e tij. Kësaj çështje nuk duhet t`i jepet konotacion politik, po teknik dhe profesional”, ka thënë Burjani.
Ai ka kritikuar zvarritjen e fundit që ka ndodhur për certifikimin e katër kandidatëve të Listës Serbe, që pritet të garojnë për kryetarë të komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit. Sipas tij, në KQZ nuk duhet të bëhet politikë.
“Po e përsëris edhe një herë, KQZ-ja nuk bën të manifestojë qëndrime politike, sepse ky është institucion teknik profesional. Aty ka vetëm kritere ligjore për certifikim. Mendoj se Vetëvendosja këso telashe do të bëjë edhe në të ardhmen, sa herë që nuk i konvenon certifikimi i rezultateve”, është shprehur Burjani.
/Epoka e re/