Kërkohet që të veprohet me urgjencë në luftimin e trafikimit me narkotikë në Gjilan
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka mbajtur të martën takim me zyrtarët përgjegjës policorë të sektorit për hetimin e trafikimit me narkotikë në këtë komunë.
Ky takim kishte për qëllim diskutimin dhe hartimin e planit të veprimit për luftimin, parandalimin dhe zbulimin e kryerësve, të cilët janë të inkriminuar në veprat penale që lidhen me substanca narkotike.
Kryeprokurori Maloku ka theksuar se duke pasur parasysh se në regjionin e Gjilanit kjo dukuri negative ka shënuar rritje, Prokuroria Themelore në Gjilan ka caktuar prokurorin Shefik Memeti koordinator për hetimin e rasteve të kësaj natyre.
Në këtë takim pjesëmarrësit u koordinuan që për këto raste të veprohet me urgjencë, sidomos kur janë të përfshirë recidivistët dhe me prioritet të veçantë të trajtohen rastet, në të cilat janë të përfshirë të miturit, pasi që situatë alarmante është përdorimi i mjeteve narkotike nga nxënësit, nëpër objektet shkollore.
Në fund të takimit pjesëmarrësit e vlerësuan lartë bashkëpunimin reciprok, duke potencuar se në bazë të këtij koordinimi do të tejkalohen vështirësitë në drejtim të luftimit dhe parandalimit të kësaj dukurie, duke shprehur bindjen se takimet e tilla, do të ofrojnë rezultate konkrete.