Kërkohet qeverisje jashtë “karantinës”
Ekzekutivit të Kosovës i është sugjeruar që ta vejë qeverisjen jashtë “karantinës”. Krahas përballjes me koronavirusin Covid 19, që ka prekur shumicën e shteteve të botës, qeverisë i është kërkuar të mos e heqë vëmendjen edhe nga shumë “detyra të shtëpisë” që ishin kualifikuar si me urgjencë përpara se pandemia ta përfshinte Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar se më 15 mars do ta hiqte pjesshëm dhe me kushte taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, masë të cilën nuk e ka ndërmarrë shkaku i mospajtimeve për këtë vendim me partneren e koalicionit, Lidhjen Demokratike, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo parti kërkon që taksa të hiqet e tëra dhe menjëherë, ashtu siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas të cilit hap parashihet të nisë dialogu Kosovë – Serbi. E, në mungesë të vendimmarrjes për taksën, Uashingtoni ka pezulluar fondet e MCC-së dedikuar Kosovës. Në anën tjetër, ndonëse në kohë emergjence, është miratuar Buxheti për 2020-n dhe është miratuar një rezolutë në Kuvend që e autorizon vetëm qeverinë të dialogojë me Serbinë. Ndërkaq, ekzekutivi ende nuk ka miratuar kornizat mbi bazën e të cilave do të qeverisë gjatë vitit.