Shoqëria civile vlerëson se për shkak të punës së shkurtër të Kuvendit të Kosovës, ata do të duhej të vendosnin prioritete, ndërkaq sipas tyre duhet të ketë një reformë si kompensohen deputetët për punën e tyre dhe për mungesa të sanksionohen me pagë.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për RTV Dukagjinin se Kuvendi i Kosovës duhet të vendos prioritete.

“Mendoj se Kuvendi i Kosovës duhet të vendos prioritete edhe këto planet për këtë periudhën e mbetur të vitit të jenë më realiste në përputhje edhe me afatin kohor që ka mbetur deri në përfundim të vitit 2021”, u shpreh Haxhiu.

Kurse, Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol ka thënë se deputetët që mungojnë në seanca duhet të sanksionohen me pagë.

“Jo vetëm që duhet të ketë sanksione për deputetët që mungojnë, por duhet që edhe mënyra që ajo kompensohen dhe si e shohin rolin e tyre brenda Kuvendit të ndërroj rrënjësisht”, tha Hoxha.

Tutje, ai shtoi se “një pagë e vetme e një deputeti duhet të mjaftoj që ata të shkojnë e ta përfundojnë punën e tyre për të cilën kërkojnë votën e qytetarëve”.