Kërkohet sërish shtyrja e afatit për riregjistrimin e makinave në veri
Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut ka kërkuar sërish nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës që të shtyjë edhe për 15 ditë afatin për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë” sqaroi se një kërkesë e tillë është dërguar tek autoritetet qendrore për shkak se është vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.
“Ka disa vetura me probleme teknike. Nëse makinat kanë probleme teknike, qytetarët nuk mund të marrin konfirmimin brenda ditës që vetura punon dhe nuk mund të marrin sigurimin. Ne kemi vërejtur një problem teknik dhe për këtë kemi kërkuar nga Ministria [e Brendshme] që të shtyhet afati, por kjo nuk do të thotë se do të ndodhë kështu”, tha ai.
Që nga 1 nëntori 2023, qytetarëve të katër komunave veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok u është dhënë afati i fundit, njëmujor, për riregjistrim të automjeteve të tyre nga targat KM (Mitrovica e Kosovës) në RKS.
Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.
Megjithatë, qarkullimi i makinave me targa të tilla është toleruar deri më tani në veri, ndërsa në zonat e banuara nga serbët në jug të Ibrit, ato ishin larguar nga përdorimi më shumë se dhjetë vjet më parë.
Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ka pasur rreth 10.000 vetura me targa KM. Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, muajin e fundit janë riregjistruar në targa RKS afër 4.000 makina.
Elshani tha se nëse MPB-ja nuk miraton kërkesën për zgjatjen e afatit për riregjistrim, Policia e Kosovës nga 1 dhjetori nuk do të lejojë lëvizjen e makinave me targa KM.
“Do të ndalen nga policia e rregullt [jo nga njësitë speciale të policisë që janë prezentë në veri të Kosovës]. Do të merren targat, do t’i shqiptohet gjoba prej 150 euro. Nëse qytetarët vozisin pa targa, makinat e tyre do të sekuestrohen”, tha Elshani.
Çështja e targave KM është aktualizuar që nga viti i kaluar dhe ka shkaktuar një sërë krizash në veri të Kosovës, daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, protesta e vendosje të barrikadave.