Kërkohet më shumë investim në arsim për ngritjen e tij
Fushata “Për arsim më të mirë në Kosovë”, e cila po mbështetet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, së bashku me GIZ dhe partnerë tjerë ndërkombëtarë synon vetëdijesimin e faktorëve vendimmarrës dhe shoqërisë që arsimi të bëhet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.
Për ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, kjo fushatë e sheh të domosdoshme rritjen e buxhetit për arsim.
Tutje përmenden tekstet shkollore, të cilat duhet të jenë në harmoni me standardet ndërkombëtare, arsimi parashkollor, trajnimi i drejtorëve të shkollave, përfshirje më të mirë të prindërve dhe të nxënësve dhe gjithpërfshirjen e nxënësve nga komuniteti pakicë.
Përfaqësuesi i GIZ-it, Boris Scharlowski në emisionin “Rubikon” të “KTV”-së, ka thënë se një ndër kërkesat kryesore ndaj qeverisë është rritja e buxhetit.
“Një ndër kërkesat kryesore ndaj qeverisë ishte rritja e buxhetit sepse sigurisht nuk është çdo gjë te paratë por është edhe për paratë. Një nga mësimet e mësuara nga konferenca jonë e PISA-s, në fund të nëntorit ne organizuam një konferencë të nivelit të lartë, për sa kohë që vendi nuk e arrin mesataren e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në shpenzimin e parave në arsimim, ekziston nevoja e lartë për të shpenzuar para shtesë”, ka thënë ai.
Scharlowski ka përmendur kohën kur u prezantuan rezultatet e testit PISA në vitin 2016, për çka e shqetësoi mos reagimi i prindërve dhe nxënësve.
“Kishte një reagim të fuqishëm nga mediat por gati asnjë reagim nga prindërit dhe studentët dhe unë mendoj që kjo është vendimtare sepse ne po flasim për të ardhmen e tyre”, ka thënë ai.
Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se investimi në fushën e arsimit duhet të vazhdojë, por sipas tij, vetëm paratë nuk mund ta ngritin cilësinë e tij.
“Por nuk është vetëm paraja që mund ta ndihmojë sistemin arsimor, por ajo kryesorja është shtimi i llogaridhënies. Prej mësimdhënësit e deri tek ne duhet të jemi më përgjegjës për ta ngritur cilësinë e arsimit”, ka thënë Bytyqi.
Ismajl Kurteshi, deputet dhe kryetar i komisionit parlamentar për Arsim, ka thënë se sfidë e arsimit është ai parashkollor, pasi sipas tij, fëmijët nuk shkojnë nëpër shkolla parashkollore por në çerdhe të palicencuara.
“Ne si komision kemi organizuar dy debate, njëri ka qenë sfidat dhe edukimi në arsimin parashkollor dhe e dyta për arsimin e personave me nevoja të veçanta. Aty është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të investojë më shumë, sidomos te parashkollorët. Pjesa më e madhe e fëmijëve shkojnë nëpër çerdhe të palicencuara dhe nuk kontrollohen nga Ministria”, ka thënë Kurteshi.
Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave, ka thënë se për investime në arsim duhet të shikohet mundësia e kombinimit të financimit. Ai ka përmendur partneritetin publik-privat dhe kreditë e buta si mundësi për të rritur cilësinë dhe infrastrukturën në arsim.